MINT: 1 milion euro mbështetje ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në teknologji dhe komunikim

Në vlerë prej një (1 milion euro), Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka bërë lansimin e skemës së granteve për të marrë Ndërmarrjet Mesmeve dhe të Vogla (NMVM) në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Kjo skemë ka për qëllim mbështetjen e këtyre bizneseve që paraqesin projekte, propozime për krijimin e produkteve të reja, apo zhvillimin dhe përmirësimin e produkteve ekzistuese me fokus në rritjen e mundësive në eksport.

Ministrja në detyrë e MINT-it, Rozeta Hajdari, gjatë fjalës së saj me rastin e lansimit, tha se kjo skemë është një hap konkret drejt nxitjes së inovacionit dhe zhvillimit të produkteve të reja në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar.

“Jemi këtu sot për t’ju njoftuar rreth lansimit të skemës së re financiare në vlerë prej 1 milion euro, për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, që operojnë në sektorin e teknologjisë dhe informacionit. MINT përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), dje me 17 qershor përmes platformës e-Kosova ka lansuar thirrjen publike të radhës së granteve për përkrahje financiare të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme që operojnë në sektorin e tikut. Kjo është një grant-skemë që për herë të parë po zbatohet në këtë formë, dhe synon të përkrah ndërmarrjet me orientim në inovacion, për krijimin e produkteve të reja për zhvillimin dhe përmirësimin e produkteve ekzistuese me fokus rritjen e mundësive për eksport dhe integrime në tregjet ndërkombëtare. Kjo skemë ka për qëllim mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe mesme që paraqesin projekte, propozime për krijimin e produkteve të reja, apo zhvillimin dhe përmirësimin e produkteve ekzistuese me fokus në rritjen e mundësive në eksport”, ka theksuar Hajdari.

Sipas Hajdarit, përmes platformës e-Kosova, më 17 qershor është publikuar thirrja për aplikim, ndërsa përfituesit potencial do të mbështeten me grante deri në 25 mijë euro, në varësi të projektit të tyre.

Hajdari derisa ka dhënë më shumë detaje për këtë skemë, ka nënvizuar se afati për aplikim është nga data 17 qershor deri më 7 korrik 2025, dhe aplikimi mund të bëhet vetëm përmes platformës e-Kosova, të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.

“Të drejtë aplikimi kanë ndërmarrjet, mikro, të vogla, të mesme që e kanë veprimtarinë e tyre primare apo sekondare në sektorin e TIK-ut. Shumën totale 1 milion euro, dhe grantet do të ndahen për këto ndërmarrje që përmenda, me një vlerë maksimale deri në 25 mijë euro për përfitues, çdo tejkalim i kësaj vlere duhet të mbulohet nga vet ndërmarrjet përfituese ose bizneset përfituese”, ka shtuar Hajdari. /KosovaPress/

Read Previous

Putin dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe kërkojnë ndaljen e menjëhershme të konfliktit Izrael-Iran

Read Next

KQZ: Më 1 korrik nis periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet lokale