Lordët në Mbretërinë e Bashkuar kërkojnë më shumë presion mbi Kosovën dhe Serbinë

Komiteti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Mbrojtjes i Dhomës së Lordëve përmes një letre drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, kanë kërkuar që autoritete britanike të ushtrojnë presion Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë angazhimet e tyre sipas Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Është jetike që Mbretëria e Bashkuar, me aleatët në BE të mbajë një presion të koordinuar dhe të balancuar diplomatik për të inkurajuar të dyja palët për të normalizuar marrëdhëniet”, thuhet në letrën e Dhomës së Lordëve.

Letra gjithashtu sugjeron që Mbretëria e Bashkuar të thellojë lidhjes e saj ekonomike me rajonin duke promovuar rritjen afatgjate dhe plotësuar përpjekjet e Bashkimit Evropian për të stabilizuar rajonin dhe për ta integruar atë në institucionet euro-atlantike.

“Promovoni rritjen ekonomike dhe luftoni korrupsionin”, vlerëson Dhoma e Lordëve.

Kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Mbrojtjes, Lordi Ashton ka potencuar ndër të tjera është në interes të Mbretërisë së Bashkuar të promovojë paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të rishqyrtojë qasjen e saj ndaj rajonit në dritën e përshkallëzimit shqetësues të dhunës në Veri të Kosovës dhe retorikës separatiste të udhëheqjes së Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Lordët në letrën e tyre kanë rekomanduar gjithashtu që të “sigurohen burime financiare për krijimin e një shërbimi të BBC-së në gjuhën shqipe të barazvlefshëm me BBC-në në gjuhën serbe, i cili do të ndihmonte në frenimin e përhapjes së dezinformatave në rajon”. /Albanianpost.com

Read Previous

​Sfida interesante në elitën e basketbollit kosovar

Read Next

​Nesër votohet qeveria teknike, Xhaferi i pari kryeministër shqiptar në historinë Maqedonisë së Veriut