Nuk kam shume vite jetë dhe kur flas fjalë të mëdha mund edhe të mos merrem seriozisht por kjo nuk ka aspak rëndësi për sa kohë kam lirinë e fjalës, jam në rregull me këtë.
Siç ndodh rëndom në cdo mëngjes të njeriut të zakonshëm dhe unë ndër ta fatkeqësisht (do doja të isha nga të jashtëzakonshmit jo për gjë) po kontrolloja të rejat e fundit në rrjetet sociale dhe ma zuri syrin një titull portali: “Baba Vanga parashikoi në 2021 shërimin e kancerit”. Ehhh, pikërisht këtu ndodhi e papritura, unë një natyrë që kam nevojë për fakte të besoj diçka, sikur e besova menjëherë dhe urova të jetë e vërtetë çfarë thuhet vërdallë. Kështu si unë, e di po mendon edhe ti.
Po më gërryente nga brenda të hulumtoja për këtë personazh dhe të dija më shumë se a po vjen zbulimi i shekullit.
*Shënim: unë nuk bëj thirrje të besojmë në vërtetësinë e këtij lajmi, po e trajtoj si fenomen, gjithmonë nga këndvështrimi im*.
Kjo ishte Vanga[1] që parashikoi sulmet e 11 shtatorit, cunamin shkatërrimtar mbi paqësor në 2004-ën, lindjen dhe ngritjen e ISIS- it e madje na paralajmëroi dhe për politakanët “lolo” në ardhje. Këto të fundit fakte!
Pas nje dyzimi ndjenjash që më shkaktoi leximi i këtij lajmi, në mendjen time u hapën disa polemika: Mos ndoshta 2020-ta na ka dërrmuar aq fort mentalisht sa ne gjejmë qetësi duke zgjedhur të besojmë cdo gjë të mirë qoftë dhe “pa filters” që na servohet vetëm për t’i ikur atij “depresionit kolektiv” që na ka kapluar? *retrospektivë, unë e mëngjesit*
Mos ndoshta kemi nevojë dëshpërimisht për një lajm të mirë për njerëzimin pas katrahurave të fundit në të cilat jemi gjendur? Mos ndoshta dhe po e marrim pak personale dhe po vdesim të dimë se kësaj të keqe të madhe me të vërtetë po i vjen fundi?
Ne ata që i mbijetuam 2020- tës me gjithë “tekat” e tij, mund t’i mbijetojmë edhe një “teke” të gazetarit që shkruan lajmin pa e menduar impaktin në masë, apo “tekën” e zonjës në fjalë ndjesë pastë për t’u sjellë si nostradamusi i kohërave moderne.
Unë zgjedh të besojë një gjë të mirë, mos gjyko, t’i lëmë të mbajnë fajtorët mbi supe fajin nëse është i tillë. Le të ndodh në 2021 fundi i së keqes së madhe se ne nuk ja kemi më frikën të papriturës!/AlbaMacula
[1] Vangelia Gushterova- e njohur gjerësisht si Nostradamusi i Ballkanit