Mikhail Bogachek, i nominuari nga presidenti amerikan Donald Trump për ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka një karrierë mbi 25-vjeçare në sektorin privat, me përvojë në biznes, shëndetësi dhe drejtim institucional.
Përveç angazhimeve në këto fusha, Bogachek është edhe anëtar i bordit drejtues të Koalicionit Republikan Hebre (Republican Jewish Coalition), organizatë që synon forcimin e lidhjeve mes komunitetit hebre amerikan dhe Partisë Republikane, si dhe mbështetjen e kandidatëve republikanë në zgjedhje.
Sipas biografisë së publikuar nga Organizata e Shteteve Amerikane (OAS), Bogachek, i njohur edhe si Michael E. Bogachek, aktualisht ushtron detyrën e drejtorit ekzekutiv të kësaj organizate ndërkombëtare. Në këtë pozitë, ai mbikëqyr administratën, financat, burimet njerëzore, prokurimin dhe shërbimet e teknologjisë informative.
Para këtij angazhimi, ai ka qenë drejtor operativ i kompanisë farmaceutike VativoRx, e cila merret me administrimin e përfitimeve farmaceutike. Sipas biografisë zyrtare, shërbimet e kompanisë kanë përfshirë mbi 1.4 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara.
Në karrierën e tij në sektorin privat, Bogachek ka themeluar edhe kompaninë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave. Sipas OAS-it, kjo kompani ofron mbrojtje teknologjike për më shumë se 60 për qind të spitaleve në Porto Riko.
Ai është gjithashtu themelues i PharmaLife, kompani farmaceutike që ka zhvilluar sisteme elektronike për administrimin e të dhënave shëndetësore në shtetin amerikan të Xhorxhias.
Një tjetër element i biografisë së tij është angazhimi në strukturat e Koalicionit Republikan Hebre. Më 6 nëntor 2023, kjo organizatë njoftoi zgjedhjen e Bogachekut në bordin e saj drejtues. Ai vazhdon të figurojë në listën zyrtare të anëtarëve të bordit.
Sa i përket përgatitjes akademike, Bogachek ka diplomuar në inxhinieri industriale dhe të sistemeve në Institutin e Teknologjisë të Xhorxhias. Ai ka gjithashtu doktoraturë në bioinxhinieri, ndërsa më 2026 ka përfunduar një program drejtimi në Harvard Business School.
Në biografinë e publikuar nga OAS thuhet se ai është autor i më shumë se 20 publikimeve shkencore dhe flet rrjedhshëm rusisht, ukrainisht dhe hebraisht.
Megjithatë, në biografinë e tij zyrtare nuk përmendet ndonjë përvojë e mëparshme në shërbimin diplomatik apo ushtrimi i detyrës së ambasadorit.
Nominimi i Bogachekut për ambasador të SHBA-së në Kosovë tashmë i është dërguar Senatit amerikan, ku duhet të shqyrtohet dhe të marrë miratimin përpara se ai të emërohet përfundimisht në këtë pozitë.