Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan bllokoi nismën për shkarkimin e sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili akuzohet për zhvillimin e luftës kundër Iranit pa miratimin e Kongresit dhe për shkelje të tjera të dyshuara gjatë operacioneve ushtarake amerikane.
Me 211 vota kundrejt 204, ligjvënësit vendosën më 10 nëntor që rezoluta për shkarkimin e Hegsethit t’i kalojë Komisionit për Drejtësi të Dhomës së Përfaqësuesve, duke e penguar, të paktën për momentin, votimin e saj në seancë plenare.
Nisma u paraqit nga kongresisti republikan, Thomas Massie, nga Kentaki, i cili kundërshtoi publikisht politikën e presidentit Donald Trump ndaj Iranit.
Massie ishte i vetmi republikan që votoi kundër dërgimit të rezolutës në komision.
Disa ligjvënës, përfshirë 11 demokratë, nuk morën pjesë në votim.
Vendimi e bën të vështirë përparimin e nismës gjatë mandatit aktual të Kongresit, por nuk e përjashton mundësinë që çështja të rikthehet më vonë.
Për çfarë akuzohet Hegseth?
Rezoluta prej 34 faqesh, e paraqitur nga Massie më 9 nëntor, përmban tetë pika me akuza që lidhen me operacionet ushtarake amerikane në Iran, Venezuelë dhe Jemen, si dhe me veprime të tjera të Pentagonit.
Tri prej tyre kanë të bëjnë me luftën kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt të këtij viti.
Massie pretendon se Hegseth ka shkelur ligjin amerikan për kompetencat e luftës, të vitit 1973, duke vazhduar operacionet ushtarake përtej afateve të lejuara pa autorizimin e Kongresit.
Rezoluta e akuzon gjithashtu Hegsethin për shpërfillje të masave për mbrojtjen e civilëve, duke përmendur një sulm ndaj një shkolle në qytetin iranian, Minab, në muajin shkurt, ku u vranë dhjetëra fëmijë.
Akuzat e tjera lidhen me sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor, ku Massie pretendon se janë kryer edhe vrasje jashtëgjyqësore.
Hegseth akuzohet, po ashtu, për përfshirjen në operacionin ushtarak amerikan për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, në janar, si dhe për sulmet kundër rebelëve Huthi në Jemen gjatë vitit 2025.
Një tjetër pikë e rezolutës ka të bëjë me veprimet e Hegsethit ndaj senatorit demokrat, Mark Kelly, pasi ky i fundit u kishte bërë thirrje pjesëtarëve të ushtrisë të mos zbatonin urdhra të paligjshëm.
Këto janë pretendime të paraqitura në rezolutën e Massiet dhe jo shkelje të vërtetuara nga ndonjë gjykatë.
Hegseth përmend edhe Kosovën gjatë mbrojtjes
Në konferencën e parë për media në Pentagon pas gjashtë muajsh, më 10 nëntor, Hegseth i hodhi poshtë akuzat, duke e cilësuar nismën për shkarkimin e tij si një veprim politik.
Ai tha se përpjekja për ta larguar nga detyra nuk kishte të bënte me shkelje të Kushtetutës, por me mospajtime politike për operacionet ushtarake të administratës Trump.
Hegseth argumentoi se sekretarë të mëparshëm amerikanë të Mbrojtjes nuk ishin shkarkuar për drejtimin e operacioneve ushtarake, përfshirë ato në Kosovë më 1999, gjatë presidencës së Bill Clintonit.
“As nën Reaganin në Liban, as nën Clintonin në Kosovë, as nën Obamën në Irak dhe Siri, as nën Bidenin në Irak dhe Siri”, tha ai, duke mbrojtur ligjshmërinë e veprimeve të tij.
Hegseth e cilësoi nismën si sabotim, duke argumentuar se ajo u dërgonte kundërshtarëve të SHBA-së mesazhin se udhëheqësit ushtarakë amerikanë mund të ndëshkoheshin për operacione që administrata i konsideron të ligjshme.
Trump përshëndet bllokimin e nismës
Presidenti Donald Trump e mirëpriti rezultatin e votimit, duke shkruar në rrjetin e tij social, Truth Social, se përpjekja për shkarkimin e Hegsethit ka dështuar.
Ai e vlerësoi punën e sekretarit të Mbrojtjes dhe përmendi operacionet amerikane në Iran e Venezuelë si dëshmi të suksesit të administratës së tij.
Massie, ndërkaq, tha pas votimit se ishte i zhgënjyer, megjithëse rezultati nuk e kishte befasuar.
Ai argumentoi më herët se shkarkimi i Hegsethit përpara përfundimit të mandatit aktual të Kongresit, do t’u jepte republikanëve mundësinë të konfirmonin një pasardhës, përpara se demokratët të merrnin kontrollin e legjislativit në janar.
A mund të rikthehet nisma për shkarkim?
Megjithëse nisma u bllokua, e ardhmja politike e Hegsethit mbetet çështje debati në Uashington.
Demokratët pritet të marrin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit në janar, pas fitores në zgjedhjet e mesmandatit, këtë muaj.
Kjo mund t’u krijojë mundësi të reja për të nisur hetime ose për ta rikthyer çështjen e shkarkimit të sekretarit të Mbrojtjes.
Edhe disa republikanë shprehën, po ashtu, dyshime për vazhdimin e mandatit të tij.
Senatori republikan nga Teksasi, Ted Cruz, tha më 10 nëntor se pret që Hegseth të japë dorëheqje ose të shkarkohet nga Trump.
Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka kompetencën për të ngritur akuza për shkarkim ndaj zyrtarëve të lartë federalë, ndërsa Senati zhvillon procesin e gjykimit.
Për largimin nga detyra kërkohet mbështetja e dy të tretave të senatorëve të pranishëm. /REL