Kurti: Për nëntë muaj 332 raste me kancer të gjirit, zbulimi i hershëm shpëton jetë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit është parakusht për të shpëtuar jetën.

Kurti në lansimin e fushatës Ndërgjegjësuese për Kancerin e Gjirit, me moton: “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”, ka bërë thirrje të gjitha vajzave dhe grave që të kujdesen për veten, duke u kontrolluar edhe kur mos të kenë nevojë.

Ai tha se të gjitha gratë që po luftojnë me këtë sëmundje nuk janë vetëm, porse do e kenë gjithmonë mbështetjen e Qeverisë.

“Nga të gjitha vdekjet nga kanceri, një nga shtatë vdekje vijnë nga kanceri i gjirit. Fokusi është në zbulimin e hershëm të sëmundjes. Për këtë angazhohemi bashkë me investimet në sistemin shëndetësorë dhe me rritjen e vëmendjes dhe vetëdijes për rëndësinë e ekzaminimeve rutinore. Me angazhim të përbashkët, me vetëdije të ngritur për sëmundjen mund ta minimizojmë rrezikun. Andaj, në hapje të kësaj fushate ndërgjegjësuese iu bëjmë grave dhe vajzave që të kujdesen për veten duke e vizituar mjekun e afërt e duke u kontrolluar edhe kur mund të mos kenë shqetësime. Si qeveri përkushtimi ynë është i përditshëm që të sigurojmë qasje sa më të lehtë dhe të barabartë në shërbimet shëndetësore për zbulimin e hershem dhe për trajtimin e kancerit të gjirit për të gjithë qytetarët. Ne këtë betejë për jetë, ministria po vepron në zgjerimin e hartës së shërbimit të kimioterapisë në Spitale Rajonale. Kemi rritur ndjeshëm buxhetin për barna. Kosova sot ka dy pajisje të teknologjisë fundit për radioterapi. Në nëntë muajt e fundit 332 pacientë janë diagnostikuar me kancer të gjirit, iu bëjë thirrje të gjithëve për kontrolle të vazhdueshme. Të gjitha grave që po luftojnë me vendosmëri për jetën iu themi se nuk janë vetëm dhe se sëmundjen do ta mundim bashkë”, tha Kurti.

Kurti: Për nëntë muaj 332 raste me kancer të gjirit, zbulimi i hershëm  shpëton jetë - KosovaPress

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se është investuar në aparaturën që mundësojnë zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve malinje. Ai shtoi se do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar qasje sa më të lehtë në shërbimet shëndetësore.

Vitia tha se edukimi i grave dhe komuniteteve rreth faktorëve të rrezikut dhe ndryshimeve të zakonshme të gjirit është kyç për parandalimin e kancerit të gjirit.

“Kanceri i gjirit si në nivel global ashtu edhe në Kosovë është kanceri më i zakonshëm në mesin e grave, por lufta kundër kancerit të gjirit nuk guxon të jetë e zakonshme…Synimet nuk mund të arrihen pa e rritur financimin për shëndetësinë, të cilën Qeveria jonë e ka bërë duke ngritur buxhetin në 300 milionë euro dhe duke bërë investime onkologjike përmes sigurimit…Të gjitha këto veprime janë detyrim i yni po ritheksojmë faktin se edukimi i grave dhe komuniteteve rreth faktorëve të rrezikut dhe ndryshimeve të zakonshme të gjirit është kyç për parandalimin e kancerit të gjirit. Konsiderojmë se një aspekt tjetër ku duhet të fokusohemi të gjithë është mbështetja e grave të prekura, mbështetja emocionale me psikologë e profile të tjera për këto gra është e domosdoshëm. Si qeveri do të ndërmarrim çdo veprim që sigurojmë qasje sa më të lehtë në shërbimet shëndetësore për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit”, tha Vitia

Në anën tjetër, Nafije Latifi, drejtoreshë e “Jeta Vita”, konsideron se gratë e operuara nga kanceri i gjirit duhet të kenë më shumë përkrahje nga institucionet.

“Sivjet synimi ynë janë pjesëtarët e minoriteteve në mjediset ku jetojnë në mënyrë që ta ngrisim nivelin e informimit dhe edukimit për këtë sëmundje. Klinika e Onkologjisë që nga fillimi i punës, mjekë, onkologë e radiolog, si dhe stafi i mesëm, të gjithë të përkushtuar bëjnë përpjekje për t’i shëruar dhe për t’ia bërë më të lehta trajtimet e vështira pacienteve me kancer të gjirit. Por, ngarkesat e mëdha dhe të çdo ditshme me numër të madh të pacienteve, rreth 200 në ditë dhe mundësitë e pamjaftueshme me staf, me pak shtretër e salla për trajtim me kimioterapi dhe mungesat e shpeshta me barna janë pengesa serioze për trajtimin më dinjitoz të pacientëve të Klinikes Onkologjike. Me ç’rast po e përmendi edhe kërkesën që gratë e operuara nga kanceri i gjirit, nga institucionet t’iu mundësohet mbulimi i shpenzimeve nga institucionet për ristrukturim të gjirit”, tha Latifi.

Ndërkohë, është bërë edhe lansimini aktiviteteve të ndryshme për muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit./KosovaPress/

Read Previous

Granit ​Xhaka zbulon arsyen pse iku nga Arsenali

Read Next

Gërvalla: Vendosja e trupave të Serbisë në kufirin e Kosovës na kujton sjelljen e Rusisë ndaj Ukrainës