Kurti në Ditën e të Pagjeturve ka përkujtuar Masakrën e Mejës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në Ditën e të Pagjeturve ka përkujtuar Masakrën e Mejës, masakrën më të madhe dhe çnjerëzore të kryer nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti ka thënë se prioritet i Qeverisë së tij është angazhimi në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së gjithë personave të zhdukur.

Dita e të Pagjeturve na kujton se mungesa e përgjigjes për fatin dhe vendndodhjen edhe të 1632 personave të zhdukur, si dhe mungesa e drejtësisë për mijëra viktima të luftës, vazhdojnë të rëndojnë jetën e familjeve që edhe 22 vite pas lufte jetojnë në dhimbje dhe ankthin e pritjes. Familjet e personave të zhdukur duhet të dinë fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të rrëmbyer dhe zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe kjo duhet të bëhet me hapa të përshpejtuar. Andaj prioritet i Qeverisë është angazhimi maksimal në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së gjithë personave të zhdukur”, ka shkruar Kurti.

Tutje, Kurti ka nënvizuar se çështja e të zhdukurve dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të jenë prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport edhe me Serbinë.

Me ndryshimet që kemi bërë në legjislacionin përkatës dhe plotësimet, po ashtu, të iniciuara gjatë këtyre ditëve, institucionet e drejtësisë duhet të ndjekin dhe të dënojnë në mënyrë meritore kryerësit e krimeve të përmasave gjenocidiale në Mejë dhe rrethinë dhe në të gjitha masakrat tjera. Çështja e të zhdukurve dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të jenë prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport edhe me Serbinë. Të gjitha viktimat na mungojnë. Të gjithëve na mungojnë”, ka shkruar Kurti /Gazeta Sinjali/

Read Previous

Mbahet mbledhja e Komitetit për Komunitete në Gjakovë

Read Next

Koloneli i FSK-së dje ia thoshte këngës në përvjetorin e UÇK-së, sot dyshohet se është vetvrarë