Kurti: Kemi dorëzuar listën tonë, unë jam bartës i saj

Pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për kandidatët që nuk mund të garojnë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, u raportua se edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk mund të kandidojë për deputet në këto zgjedhje të parakohshme.

Për këtë Kurti sot ka thënë se është dorëzuar lista dhe ajo është lista e Vetëvendosjes. Kurti theksoi se ai është bartës i listës e që respekton dhe i përfill në përpikëmëri Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Kurti: “Ne kemi dorëzuar listën ashtu siç është kërkuar dhe ajo është lista jonë. Para një viti ka qenë ambasadori Grenell për një darkë me ish-presidentin, por ai është viti i kaluar. Mendoj që institucionet e shtetit duhet të përditësohen në rrethana të reja, ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, zgjedhje këto që kanë ngjallur një entuziazëm të paparë për pjesëmarrje masive të qytetarëve. Unë jam bartës i listës, i cili respekton dhe i përfillë Kushtetutën dhe ligjet, të cilat mbrojnë të drejtat e secilit prej nesh”, tha Kurti pas homazheve që bëri tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në 15 vjetorin e vdekjes së tij./ KosovaPress

Read Previous

​KMDLNj kërkon nga Policia të hetojë kërcënimet ndaj KQZ-së

Read Next

“Peaky Blinders”përfundon me sezonën e 6-të