Kurti: DokuFest është mënyra më efektive për t’ia rrëfyer botës krijimtarinë dhe potencialin tonë artistik, zellin dhe talentin rinor

DokuFest nisi edicionin e tij të radhës mbrëmë (e premte) me tematikën “How to Survive…?”, e cila përqendrohet rreth nocionit të mbijetesës dhe që për herë të parë vjen në formën e një pyetjeje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur DokuFestin si ngjarja më e madhe kulturore ndërkombëtare në Kosovës.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti tha se DokuFest është mënyra më efektive për t’ia rrëfyer botës krijimtarinë dhe potencialin tonë artistik, zellin e talentin rinor.

Tutje Kurti tha se si adhurues i kinemasë dhe i qytetit të Prizrenit, natyrshëm kam qenë pjesëmarrës i rregullt i edicioneve të festivalit.

Më poshtë postimi i plotë i Albin Kurtit:

DokuMagjia!

DokuFest është ngjarja më e madhe kulturore ndërkombëtare në Kosovë. Më shumë se vetëm ngjarje, DokuFest është institucion i rëndësishëm i krijimtarisë dhe edukimit artistik. Ndonëse ka hyrë në dekadën e tretë të ekzistencës, festivali asnjëherë nuk e humbi magjinë e vet. Përkundrazi, edhe ky edicion që nisi mbrëmë, premton një javë plot shkëlqim mbi gurët e monumenteve të Prizrenit.

DokuFest është mënyra më efektive për t’ia rrëfyer botës krijimtarinë dhe potencialin tonë artistik, zellin e talentin rinor. Ai është edhe ekonomi për qytetin, edhe vullnetarizëm për rininë, edhe rrjetëzim për artistin, edhe kulturë për turistin. Si adhurues i kinemasë dhe i qytetit të Prizrenit, natyrshëm kam qenë pjesëmarrës i rregullt i edicioneve të festivalit. Tash me përgjegjësi shtesë, në krye të Qeverisë që po e realizon reformën më të madhe kulturore ndonjëherë në vend, që DokuFest dhe pjesa tjetër e skenës së pavarur kulturore të gëzojnë mbështetje të rritur dhe partneritet strategjik për nevojat zhvillimore dhe diplomatike të shtetit tonë.

Edicioni XXI është mundësi e mirë dhe arsye e fuqishme për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për ata që patën guxim në fillim. Dhe pastaj edhe vizion, durim e përkushtim. Faleminderit Veton, Aliriza, Samir, Eroll B, Linda, Nita, Eroll Sh, Alba, Jeton, Orhan, Burim, Dafina, Ares dhe plot të tjerë deri te mijëra vullnetarë përgjatë viteve e dekadave. Filmat, mbrëmjet e muzikës, punëtoritë, ngjarjet e tjera, një program fantastik sivjet. Gjatë këtyre tetë ditëve, do të më shihni sërish në Prizren.
Magjia rifilloi.

Read Previous

Në veri sulmohet me armë njësia policore kufitare

Read Next

Parandalohet kontrabandë në Mitrovicë, sekuestrohet vaj ushqimor nga Serbia