Kurti bisedon me diplomatin gjerman për rezultatin e Procesit të Berlinit dhe dialogun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Drejtorin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Gunter Sautter me të cilin ka biseduar për rezultatet e procesit të Berlinit.

“U bisedua për rezultatet e Procesit të Berlinit, përfshirë gjashtë takimet ministeriale, dhe vlerësuam si arritje të rëndësishme marrëveshjen e re për Qasjen në Arsimin e Lartë dhe Deklaratën për Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) 2025–2028”, thuhet në njoftim për media të Qeverisë.

Sipas njoftimit, Kurti e falënderoi Sautter për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën dhe mbështetjen diplomatike, ushtarake dhe ekonomike të Gjermanisë e cila kanë qenë thelbësore për çlirimin, pavarësimin dhe ndërtim e zhvillimin e vendit tonë.

“Gjatë takimit u diskutua për forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për bashkëpunimin rajonal, dialogun në Bruksel dhe integrimet euro-atlantike”.

Po ashtu, në njoftim theksohet se kryeministri e ka uruar Sautter për pozitën e re në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i ofroi bashkëpunimin e plotë në avancimin e agjendës së përbashkët në mbrojtjen dhe avancimin e demokracisë dhe lirive themelore./Albanianpost.com

Read Previous

Hyn në fuqi udhëzimi për regjistrimin e kafshëve

Read Next

Nga nëntori Policia nuk lëshon vërtetime mbi të kaluarën kriminale