Kriza në Lindjen e Mesme dhe ndikimi në ekonominë globale

Rreziku kryesor për ekonominë globale është skenari i përshkallëzimit të situatës në një konflikt më të gjerë rajonal dhe ndikimi i mundshëm që kjo do të ketë në tregjet e energjisë, theksojnë analistët.

Një rritje e çmimit të naftës do të komplikonte përpjekjet për të rikthyer inflacionin në objektiv në ekonomitë e zhvilluara, por do të kishte një ndikim domethënës në vendimet e bankës qendrore.

Siç thekson Capital Economics, pyetja kryesore tani është se si do të përgjigjet Izraeli. SHBA do të luajë një rol kyç në përpjekjet për të zbutur tensionet, ndërsa Kina do të ushtrojë gjithashtu ndikimin e saj në Iran.

Ndërsa të gjithë sytë po kthehen nga tregu i energjisë, analistët theksojnë se çmimet e Brent-it tashmë janë rritur nga 83 dollarë për fuçi një muaj më parë në nivele mbi 90 dollarë javën e kaluar, mes shqetësimeve për ndikimin e konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë mbi furnizimet.

Çmimet europiane të gazit gjithashtu u rritën me 10% javën e kaluar pas sulmeve të dronëve rusë në objektet e magazinimit në Ukrainë. Sipas Capital Economics, rregulli i përgjithshëm është që një rritje prej 10% e çmimit të naftës i shton 0.1-0.2 % inflacionit në ekonomitë e zhvilluara.

Prandaj, rritja e naftës muajin e kaluar do t’i shtojë rreth 0.1% inflacionit në këto ekonomi. Siç theksojnë analistët, kjo nuk pritet të ketë ndonjë ndikim të rëndësishëm në vendimet e bankës qendrore.

Në vend të kësaj, do të duhej një rritje më e rëndësishme dhe më afatgjatë e çmimeve të naftës për të ndikuar në politikën monetare. Në praktikë, rritja e çmimeve të energjisë duhet të kalojë tek konsumatorët dhe në këtë mënyrë të kalojë në inflacion strukturor.

Ky është ndoshta një rrezik më i madh në SHBA sesa në Europë.

Në të njëjtën kohë, siç thekson Capital Economics, problematikat tashmë kanë filluar të shfaqen brenda OPEC+, me shumë vende (veçanërisht Emiratet e Bashkuara Arabe) që kërkojnë rritjen e kufijve të prodhimit.

Presioni në këtë drejtim, i cili pritet të vijë edhe nga Uashingtoni, vlerësohet se do të intensifikohet nëse zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rrisin çmimin e naftës.

Një rritje në ofertën e naftës do të kufizojë rritjen e çmimeve, sipas analistëve.

Ndërkohë që vazhdon të monitorojë nga afër zhvillimet, Capital Economics beson se ngjarjet në Lindjen e Mesme do ta inkurajojnë më tej Fed-in që të adoptojë një qasje më të kujdesshme ndaj uljes së normave. Por ai nuk beson se do ta pengojnë plotësisht të vijojë me lehtësimin monetar.

Dhe, nëse nuk ka rritje të çmimeve të energjisë muajin e ardhshëm, si BQE ashtu edhe Banka e Anglisë do të ulin normat e tyre të interesit në qershor./abcnews.al

Read Previous

Sipas Musk, vitin e ardhshëm – Inteligjenca artificiale do ta kalojë inteligjencën njerëzore

Read Next

Një në 10 persona në Gjermani preken nga vjedhja e identitetit në internet