Më 12 tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë. Nga 9 qershori ka nisur periudha për deklarim për koalicione dhe mospjesëmarrje në zgjedhje. Kjo periudhë mbaron më 23 qershor.
Lidhur me këtë çështje për portalin rtv21.tv zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se deri më tani asnjë parti politike nuk ka kërkuar certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit.
“Deri më tani, asnjë parti politike nuk ka njoftuar KQZ-së, respektivisht respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike se do të kërkojë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit”, tha ai.
Për mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor është deklaruar Organizata Balli Kombëtar Demokrat.
“Ndërkaq, deri më sot, vetëm një parti politike, Organizata Balli Kombëtar Demokrat (OBKD) ka njoftuar KQZ-në se nuk do të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, brenda 15 ditëve nga shpallja e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Kosovës, partia politike e regjistruar e cila nuk dëshiron të certifikohet për zgjedhje duhet të njoftojë Zyrën që nuk garon në zgjedhje, apo që partia politike do të kërkojë certifikim përmes koalicionit në përputhje me këtë ligj”, deklaroi Elezi.
Ndërkaq periudha për të deklaruar certifikimin e pjesëmarrjes në zgjedhje lokale përmes koalicionit apo se nuk duan të marrin pjesë në këto zgjedhje, Elezi tha se kjo periudhë ka filluar më 9 qershor dhe do të përfundoj më 23 qershor 2025. /21Media