Viti 2025 pritet të jetë një vit historik për sportin kosovar, me Republikën e Kosovës që do të mirëpresë një sërë ngjarjesh sportive ndërkombëtare me rëndësi të madhe. Këto aktivitete, të organizuara nga federatat sportive të vendit me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do ta vendosin Kosovën në hartën ndërkombëtare të sportit si një mikpritëse serioze dhe profesionale.
Në mesin e ngjarjeve më të mëdha përfshihet Kampionati Evropian në E-sports, një garë që pritet të tërheqë garues dhe audiencë të gjerë nga e gjithë Evropa. Ky është një hap i madh për zhvillimin e sporteve digjitale në Kosovë dhe promovimin e talenteve të reja në këtë fushë.
Po ashtu, Federata e Ping Pongut e Kosovës do të organizojë WTT Youth Contender dhe WTT Feeder, dy turne të rëndësishëm të pingpongut që mbledhin të rinj premtues nga shumë shtete dhe kontribuojnë në ngritjen e standardeve të këtij sporti në vendin tonë.
Basketbolli do të jetë një tjetër pikë kyçe në kalendarin sportiv, me FIBA 3×3 Challenger Prishtina 2025 dhe FIBA 3×3 Kualifikimet për Europe Cup, të cilat do të zhvillohen në kryeqytet. Këto gara janë pjesë e rrugës drejt garave madhore evropiane dhe rritin prezencën ndërkombëtare të basketbollit kosovar.
Në sportet ekipore për femra, Kosova do të mirëpresë Kampionatin Evropian për Femra U17 në Hendboll si dhe Kampionatin Evropian për Femra U16 në Volejboll, dy ngjarje që jo vetëm ofrojnë platforma garuese për sportistet e reja, por edhe nxisin fuqizimin e grave në sport në nivel ndërkombëtar.
Organizimi i këtyre aktiviteteve përfaqëson një arritje të madhe për vendin, duke ofruar mundësi për zhvillimin e infrastrukturës, rritjen e turizmit sportiv dhe promovimin e imazhit të Kosovës si një vend i hapur, mikpritës dhe i gatshëm për sfida të mëdha sportive.
Me këtë kalendar të pasur ngjarjesh, Kosova në vitin 2025 konfirmon statusin e saj si një qendër e re dhe e rëndësishme sportive në rajon dhe më gjerë. /Telegrafi/