Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, të martën është takuar me një delegacion nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar i cili është kryesuar nga deputetja Harriett Baldwin.
Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet politike, mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit si dhe për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Kryetari Konjufca, pasi i njoftoi deputetët britanikë me rrjedhat e punës së legjislativit dhe trupave të tij, vlerësoi lart mbështetjen koherente të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat vendimtare të shtetndërtimit dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar, duke theksuar rolin e veçantë të këtij shteti mik për lirinë, pavarësinë dhe rimëkëmbjen e shtetit tonë”.
“Kreu i Kuvendit po ashtu kërkoi përkrahjen e mëtejme të Mbretërisë së Bashkuar për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova”, thuhet në njoftim e Kuvendit të Kosovës.
Ndër të tjera, deputetët e parlamentit britanik, të cilët po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë, falënderuan kryetarin Konjufca për pritjen dhe shprehën përkushtimin për intensifikimin e bashkëpunimit në sektorë dhe fusha specifike, përfshirë edhe këmbimin e praktikave të mira mes parlamenteve respektive. /Albanianpost.com