Këtë të martë të 11 qershorit po zhvillohen punimet e Konferencës së 51-të të INTERPOL, që mbahet për herë të parë në Tiranë.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla mbajti fjalën hapëse.
Balla evidentoi punën e bërë nga Shqipëria për të qenë një vend më i sigurt, ndërsa shtoi se vendi ynë është partnere e besuar e INTERPOL.
Ai tha se sfidat me të cilat përballet sot Evropa dhe jo vetëm, janë krimet kibernetike.
“Shqipëria me të gjitha ndjesitë, shijet e mikpritjen por edhe sigurinë publike. Uroj që të gjeni kohë të shijoni bukur të mesdhetare që janë të veçanta, plazhet blu dhe trashëgimitë kulturore të Unesco-s.
Është hera e parë që Shqipëria drejton një event të INTERPOL-it të këtij niveli. Të ftuarit që mund të kenë vizituar Shqipëria dekada më parë, me siguri janë të mahnitur nga ndryshimi që vendi ynë ka bërë.
Vitin e fundit më shumë se 10 mln turistë vizituan Shqipërinë. Rekord ky i të gjitha kohërave. Gjithsesi presim që ky numër të tejkalohet në 2024 me rreth 40 përqind”.
Sipas Ballës, Shqipëria është fuqimisht e angazhuar në INTERPOL dhe partnere e besuar.
“Sot kemi sfida në fushën e sigurisë dhe rendit publik. Krimet kibernetike nuk njohin kufi dhe duan një përgjigje të koordinuar. Drogërat sintetike janë vrasësi numër një i vrasjes së amerikaneve.
Kemi vepruar kundër përdorimit të këtyre drogërave”, tha ai.
Konferenca është aktiviteti më i rëndësishëm i INTERPOL-it në Evropë, ku drejtues të lartë nga vendet anëtare, do të kenë mundësi të shkëmbejnë eksperiencat dhe të marrin vendime për përparimin e masave të agjencive ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Sekretariatin e Përgjithshëm të INTERPOL – Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale, organizojnë Konferencën Rajonale të INTERPOL për Evropën, ku marrin pjesë rreth 200 përfaqësues nga agjencitë ligjzbatuese të vendeve të Evropës e më gjerë.
Gjatë ditëve të konferencës do të ketë fjalime të autoriteteve të larta shtetërore të Shqipërisë dhe drejtuesve të INTERPOL-it.
Edhe faqja zyrtare e INTERPOL ka publikuar foto e të dhëna nga përgatitjet e fundit që po bëhen në Tiranë për organizimin e takimit të 51-të të Konferencës Rajonale Evropiane. /Albanianpost.com