Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, L.B., dhe E.B., për veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë”.
I dyshuari, L.B., me datë 30 tetor në fshatin Shkozë të komunës së Malishevës pas një konflikti të mëhershëm ka tentuar ta privojë nga jeta viktimën, A.B., duke gjuajtur në drejtim të tij 22 herë por nuk arrin ta qëllojë.
Për këtë vepër penale L.B., është ndihmuar nga vëllai i tij, E.B., ku më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
“Derisa i dëmtuari ishte duke punuar tokën e tij, i pandehuri L.B., nxjerr armën dhe gjuan në drejtim të tij 22 herë, por nuk arrin ta qëllojë. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Po ashtu, i pandehuri L.B., pa autorizim, ka mbajtur armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me çka ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragraf 1 i KPRK-së.
Ndërsa i pandehuri E. B., me datë, kohë dhe vend të njëjtë, me dashje ka ndihmuar të pandehurin, vëllain e tij, L.B., në kryerjen e veprën penale, duke pasur marrëveshje paraprake, ku më pas së bashku kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe me nenin 33 të KPRK-së.
Prokurori i rastit ndaj dy të pandehurve ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim nga data 30 tetor 2021“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
/GazetaSinjali/