Ish-ambasadori Spahiu: SHBA-ja do të vazhdojë të mbështes Kosovën edhe në të ardhmen

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu vlerëson se, vendi jonë duhet të tregojë më shumë angazhim diplomatik për të ruajtur dhe përforcuar partneritetin me aleatin e saj më të madh (ShBA-në).

Ndonëse marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të forta dhe të rëndësishme, ato kanë kaluar periudha të ftohjeje të ndikuara nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, thotë ai në një intervistë për KosovaPress.

Në Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, Spahiu thekson se Washingtoni mbetet adresë kryesore për lobim dhe bashkëpunim.

“Ka një ftohje që vjen nga shumë faktorë edhe nga faktorët e jashtëm, siç janë ripozicionimi i ShBA-ve, i fokusimit të tyre në vatra të tjera apo në gjeopolitikën e tyre të re, sidomos me presidentin e ri Trump, por ka edhe çështje të cilat kanë dëmtuar deri diku raportet mes ShBA-ve, ku ne nuk kemi komunikuar si duhet me partnerin tonë ndërkombëtar. Mendoj që raportet megjithatë janë të mira, të forta, në bazë të fortë dhe shpresoj se do të vazhdojë përmirësimi i këtyre raporteve dhe nuk kam asnjë dyshim që partneri ynë kryesor do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen”, ka thënë Spahiu.

Kriza në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë dhe ndryshimet tjera gjeopolitike në botë, sipas Spahiut nuk kanë zhvendosur preokupimin amerikan për Kosovën. Megjithatë thotë se në rrethanat aktuale institucionet duhet të angazhohen më shumë për të mbajtur Kosovën në vëmendjen e Amerikës.

“Ne kemi humbur fokusin në aspektin e interesimit të ShBA-ve por edhe vendeve të tjera me peshë, për shkak të krizave të reja që kanë lindur dhe një gjeopolitikë të re që tashmë është vënë në jetë, kemi disa vatra krize, Ukrainën Lindjen e Mesme e shumë të tjera kur ndërthuren interesat e Amerikës të ndryshme, ekonomike, politike, strategjike, është normale që Kosova nuk është më në fokus kryesor por megjithatë siç po dëshmohet kohëve të fundit Kosova nuk është harruar por është një pjesë e preokupimit amerikan”, ka shtuar ai.

Ai thekson se lobimi është një nga pikat ku Kosova duhet të investojë më shumë.

“Diplomacia jonë duhet të jetë aktive që të punojnë në Washington, ne kemi nevojë për një mbështetje në kongres por edhe në administratën e re. Për këtë mendoj se duhet të punojmë me kongresin që të ripërtërijmë lidhjen që kemi pasur në të kaluarën. Na duhet gjithmonë një zë i fuqishëm në kongres, sepse kongresi i kalon rezolutat apo kërkesa te administrata vet për çështje të caktuara dhe ne do të përfitonim nga kjo gjë”, është shprehur Spahiu.

Katër korriku shënon Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, një festë kombëtare që përkujton shpalljen e pavarësisë më 1776. Është një ditë e rëndësishme për historinë amerikane dhe simbol i lirisë, bashkimit dhe demokracisë. /KosovaPress/

Read Previous

Osmani: Për votim të fshehtë duhet të ketë konsensus

Read Next

​Trump do t’i dërgojë secilit vend letra me të dhëna për tarifat