Inflacioni në Shqipëri zbret në 2 për qind

Inflacioni në Shqipëri ka arritur nivelin më të ulët të regjistruar në tre vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga INSTAT, pavarësisht se gushti është muaji kur turizmi arrin pikun dhe konsumi rritet, kjo nuk ka çuar në rritje të çmimeve. Indeksi i çmimeve të konsumit shënoi një rënie në 2% gjatë muajit gusht, krahasuar me 2.1% që ishte në muajin e kaluar.

Një ndikim të fortë në këtë situatë ka pasur ulja e çmimeve në grupin e transportit, por edhe në nëngrupe të tjera, ku rritja e çmimeve ka qenë më e vogël. Rritja vjetore e çmimeve në gusht është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me më pak se 1%, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e shtëpisë”.

Rënia e inflacionit gjatë muajit gusht është një sinjal që Banka e Shqipërisë mund të vazhdojë me politikën e uljes së normave të interesit gjatë vjeshtës. Aktualisht, norma bazë e interesit është 3%, dhe është ndërmarrë vetëm një vendim për uljen e këtyre normave. Ulja e normave të interesit ka një ndikim të rëndësishëm në këstet e pagesave të kredive në lekë, si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.

Në daljen e saj të fundit, Banka e Shqipërisë theksoi se vendi tashmë ka tejkaluar krizën e çmimeve, ndërsa niveli i inflacionit mbetet poshtë objektivit të saj prej 3%. Sipas Bankës, rënia e inflacionit pasqyron reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar, ndikuar gjithashtu nga kursi i këmbimit, pasi euro prej disa muajsh qëndron në kufijtë e 100 lekëve. /abcnews.al

Read Previous

Gani Sejdiu: Situata e krijuar ndikon negativisht te Kosova, ndaj Qipros mund të fitojmë

Read Next

Tregu, vendi ku bujqit i shesin produktet që i kultivojnë në fshatrat e Gjakovës