Tregu sot nuk ishte siç është rëndom ditën e hënë në Gjakovë, këto pamje tregojnë qartë se ka më pak shitës por edhe blerës. Tregtarët thonë që çmimet e importit janë rritur, dhe së bashku me të edhe çmimet e produkteve të importuara, kurse produktet vendore kryesisht janë me çmime të njejta, kjo ka ndikuar që edhe blerës të ketë më pak. Arsye tjetër është edhe thatësia e madhe që ka qenë gjatë sezonit të verës. Shumë prodhues nuk kanë nxjerrë të korra aq sa kanë planifikuar. Njëri nga tregtarët që takuam sot shprehi shqetësimin e tij në lidhje me ngritjen e çmimeve.
Për ngritjen e çmimeve ankohen edhe blerësit, madje njëri prej tyre thotë se ekonomia familjare po vështirësohet nëse ngritja shkon në këtë drejtim.
Gati të gjithë tregtarët ndajnë mendimin e njejtë, duke theksuar se rritja e çmimeve te produkteve është bërë në një përqindje të vogël.
Niveli i çmimeve në këtë treg, varet edhe nga konkurrenca, duke detyruar kështu tregtarët që të ndryshojnë çmimet varësisht nga konkurrentët e tyre, thonë vet ata prapa kamerave të televizionit Syri.