Ibrahimi: Nga vërshimet e fundit dëmet janë milionëshe, disa komuna kanë përfunduar procesin e vlerësimit

Shumë komuna të Kosovës dy javë më parë u goditën nga vërshimet pas reshjeve të shiut dhe borës, ku si pasojë u shkaktuan shumë dëme në infrastrukturë rrugore, në kulturat bujqësore, banesa dhe shtëpi banimi.

Për shkak të vërshimeve disa familje janë detyruar të evakuohen, ku disa komuna kanë shpallur edhe gjendjen emergjente.

Lidhur me këtë, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka njoftuar se, është ndarë Fondi Emergjent për rikuperimin e këtyre dëmeve.

“Kemi marr vendim që të ndahet Fondi për Vërshimet dhe jemi në pritje të komunave që të vijnë me kërkesat”, kishte thënë Hoti.

Për vlerësimin e dëmeve, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se, disa komuna kanë përfunduar procesin e vlerësimit.

“Në disa komuna ka përfunduar procesi i vlerësimit, kurse disa prej tyre janë në përfundim e sipër. Kjo po varet edhe nga kushtet atmosferike dhe situata në terren. Vlerësimi bëhet për ekonomi familjare, për toka bujqësore dhe infrastrukturë që është kompetencë e komunave. Është në interes të komunave që të kryhet ky proces”, tha Ibrahimi.

Në mesin e shumë komunave që janë prekur rëndë nga vërshimet është Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Gjakova, Kamenica dhe Vushtrria. /Telegrafi/

Read Previous

Kurz: Nuk do të ketë pranim të Serbisë në BE, pa normalizimin e raporteve me Kosovën

Read Next

5 fjali që shoqja/shoku juaj mbipeshë s’do donte t’i dëgjonte