Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka dorëzuar Kuvendit një kërkesë për debat parlamentar, për të diskutuar për mos çuarjen përpara të projektit amerikan për gazin nga ana e Qeverisë Kurti.
Ai ka thënë se pohimet se Fondi prej 200 milionë dollarësh i MCC nuk ka qenë i specifikuar për gazin dhe diversifikimin e energjisë, është i pavërtetë.
“Ka pothuajse tri vjet ç’prej se ka filluar ky projekt dhe janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e realizimit të tij. Janë bërë dy studime fizibiliteti që janë financuar me miliona dollarë të taksapaguesve amerikanë. Pikërisht tani kur jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti dhe në prag të skadimit të afatit për aprovim të vendosur nga MCC dhe SHBA, Qeveria e Kosovës ka vendosur pezullimin e tij, madje duke e cilësuar gazsjellësin amerikan si gaz rus. Prandaj unë sot, i mbështetur nga Grupi Parlamentar i AAK-së, i kam dorëzuar Kuvendit një kërkesë për debat parlamentar, për të diskutuar hapur e me argumenta për këtë çështje tejet të rëndësishme për Kosovën dhe partneritetin me SHBA. Çështja e gazit amerikan nuk mund as të mjegullohet e as të spostohet me të pavërteta,’’ është shprehur Haradinaj./KP/