Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Hamasi do të qëndrojë jashtë bisedimeve të armëpushimit në Gaza.
Grupi islamik palestinez Hamas njoftoi të mërkurën se nuk do të marrë pjesë në raundin e ri të bisedimeve për armëpushim në Gaza, të planifikuara për të enjten në Katar. Ky vendim e zbeh shpresën për një armëpushim të negociuar, i cili sipas burimeve iraniane mund të parandalojë një sulm iranian ndaj Izraelit.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se presin që bisedimet indirekte të zhvillohen siç është planifikuar në kryeqytetin e Katarit, Doha, të enjten, dhe se një marrëveshje armëpushimi është ende e mundur, raportoi Reuters. Megjithatë, Axios raportoi se sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka shtyrë një udhëtim në Lindjen e Mesme, i cili pritej të fillonte të martën.
Tre zyrtarë të lartë iranianë kanë deklaruar se vetëm një marrëveshje armëpushimi në Gaza do të mund të pengonte Iranin nga hakmarrja e drejtpërdrejtë kundër Izraelit për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në territorin e tij muajin e kaluar.
Qeveria izraelite ka njoftuar se do të dërgojë një delegacion në bisedimet e së enjtes. Megjithatë, Hamasi, grupi militant palestinez që kontrollon Gazën, kërkon një plan të zbatueshëm për të implementuar një propozim që e ka pranuar tashmë dhe jo më shumë bisedime.
“Hamasi është i përkushtuar ndaj propozimit të paraqitur më 2 korrik, i cili bazohet në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe fjalimin e Presidentit Biden. Lëvizja është e përgatitur të fillojë menjëherë diskutimin mbi një mekanizëm për ta zbatuar atë,” tha zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, për Reuters.
“Pjesëmarrja në negociata të reja i lejon okupatorit të vendosë kushte të reja dhe të përdorë labirintin e negociatave për të kryer më shumë masakra,” shtoi ai. /theguardian/