Giresse: Grupin nuk e kemi të vështirë, na jep ambicie për t’u kualifikuar

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Alan Giresse, ka mbajtur konferencë për medie në nismë të grumbullimit për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 kundër Izraelit dhe Andorrës, raporton Ekonomia Online.

“Dardanët” do ta nisin ciklin kualifikues me ndeshjen e parë kundër Izraelit në udhëtim më 25 mars, ndërkaq tri ditë më vonë luajnë në Prishtinë kundër Andorrës.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse është shprehur optimist para kampanjës kualifikuese.

“Jemi këtu para këtyre lojëve në kuadër të kësaj kampanje të re. Përgjithësisht ndodhemi në një grup që nuk është i vështirë, por që nuk duhet nënçmuar dhe është një grup që na dhuron ambicie për të vazhduar. Kjo është pikëpamja ime ndaj grupit. Do ta prezantoj listën që është e njohur dhe në krahasim më listën janë dy ndryshime.”

Giresse ka treguar se Uran Bislimi nuk është më në listën e kombëtarës, teksa në të janë 25 lojtarë.

“Sa i përket Uran Bislimit, në vend të tij, e kemi Idrizin dhe aktualisht listën tonë e përbejnë 25 lojtarë. Ermal Krasniqi bën pjesë në atë paralistë, do të thotë nuk është ftuar në këtë liste është në këtë paralistë dhe mbetet të shihet, do të shihet dhe ndoshta do të ftohet.”

E kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Bajram Shala, shpjegoi procesin se si e kanë ftuar lojtarin Uran Bislimi, dhe se si ai e ka refuzuar kombëtarën.

“Uran Bislimi ka qenë në listë, e ka konfirmuar ardhjen, edhe për herë të dytë Uran Bislimi e ka refuzuar Kosovën, edhe besoj që është hera e fundit që ka pasur mundësi me e refuzu Kosovën. E ka puthur fanellën e Kosovës kur ka dhënë gol, dhe nuk e ka refuzuar, por e ka refuzuar përmes klubit, nuk ka pasur guxim që ai të vijë. Edhe pasi e ka konfirmuar edhe e ka rezervuar biletën, ai për herë të dytë ka refuzuar Kosovën. Nga sot, Kosova nuk është me opsion për Uran Bislimin”, tha ai.

Kosova është në Grupin I së bashku me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.

/EO/

Read Previous

Borrell njofton ministrat e BE-së për rezultatet e takimit të Ohrit

Read Next

Ukraina: Çdo plan paqeje duhet të fillojë me tërheqjen e trupave rusë