Të kapura nga satelitët amerikanë gjatë Luftës së Ftohtë, imazhet e pabotuara më parë të 396 kalave të Perandorisë Romake janë tani të arritshme për studiuesit.
Ato u morën si pjesë e programit “Corona and Hexagon”, për mbikëqyrjen fotografike të Bashkimit Sovjetik (BRSS), Kinës dhe rajoneve të tjera nga qershori 1959 deri në maj 1986.
Fotot janë me rezolucion të lartë dhe aq të sakta sa specialistët kanë arritur t’i gjeolokojnë një nga një kalatë romake, të vendosura në hapësirat e shkretëtirës në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Siri dhe Irak, si dhe në zona ushtarake aktive që janë të ndaluara për studiuesit.
Në një studim të botuar nga revista “Antiquity” dhe të transmetuar nga faqja e specializuar “Space.com” dhe gazeta britanike “The Guardian”, Jesse Casana, profesor i antropologjisë raporton rrezikun për të mos gjetur më këto mbetje romake të kapur më shumë se gjysmë shekulli më parë.
“Ato mund të shkatërrohen nga plaçkitjet, operacionet ushtarake”, por edhe nga “zhvillimi i qyteteve, intensifikimi i bujqësisë”, apo edhe nga “ndërtimi i digave”.
Megjithatë, shton ai, “këto arkiva bëjnë të mundur përjetësimin e historisë së rrënojave që janë zhdukur përgjithmonë”.
Dhe për të nënvizuar në thelb, se një sërë rrënojash të tjera ndoshta kanë ekzistuar në të kaluarën, por janë fshirë nga harta pas rënieve fatale, luftëra apo katastrofave.
Midis imazheve nga misionet satelitore amerikane janë kalatë romake të Sura (25 km në perëndim të Raqqa) dhe Resafa (ose Sergiopolis) në Sirinë e sotme.
Dy vende ende të dukshme sot që kur i shpëtuan dhunës së operacioneve të Shtetit Islamik, tha për “L’Orient-Le Jour”, Michel Makdessi, ish-drejtor i gërmimeve në Siri.
Rrënojat e Resafas janë mbresëlënëse.
I vendosur 200 km në lindje të Aleppos, ky qytet i njohur në analet asiriane ishte një post i fortifikuar i shkretëtirës gjatë dominimit romak.
Ajo lulëzoi për shkak të vendndodhjes së saj në rrugën që lidh Aleppon, Dura-Europos dhe Palmyrai.
I njohur në kohët romake si Sergiopolis, ai strehon varrin e martirëve të shenjtë Sergius dhe Bacchus dhe u bë një qendër e rëndësishme pelegrinazhi, e cila tërhoqi veçanërisht fiset e krishtera arabe nga mbretëria Ghassanid.
Një bazilikë e mrekullueshme e fortifikuar, mure, cisterna dhe ndërtesa të tjera u ndërtuan gjatë sundimit të perandorit Justinian (527-565).
I rrethuar dhe plaçkitur në vitin 616 nga Persianët, qyteti ra pas pushtimit mysliman, por pelegrinazhi i krishterë vazhdoi deri në shekullin e XIII-të.
Këto zbulime konfirmojnë rezultatet e një vëzhgimi ajror të rajonit, të kryer në vitet 1920 dhe 1930 nga misionari jezuit Antoine Poidebard (i lindur në Lion në 1878, vdiq në Bejrut në 1955).
Me ndihmën e Komisionit të Lartë Francez në Siri dhe skuadroneve të Ushtrisë së Levantit, Poidebard ndërmori një sërë fluturimesh në pellgun Haut-Khabour (kufiri turko-sirian dhe kufiri i Irakut), duke zbuluar struktura të pamundura për t’u parë nga toka: kalatë, rrugë romake të mbuluara me rërë dhe vende të tjera.
Ky pionier i arkeologjisë ajrore kishte identifikuar një rrjet prej 116 të kalave romake.
Pas zbulimit ajror, Antoine Poidebard dhe bashkëpunëtorët e tij kryen kontrolle tokësore falë ushtrisë franceze e cila kishte hapur llogore.
Funksioni i këtyre mbetjeve është në qendër të shumë pyetjeve.
Për Poidebard-in, këto kala formuan një vijë mbrojtëse përgjatë kufirit lindor të Perandorisë Romake me shtetin pers, dhe ndoqën një rrugë ushtarake të quajtur Strata Diocletiana (Rruga e Dioklecianit).
Ajo u ndërtua në të gjithë Sirinë gjatë mbretërimit të këtij perandori në fund të shekullit të III.
Sipas historianëve, këto kala janë përdorur edhe për të zmbrapsur dyndjet e arabëve dhe fiseve nomade. /Albanianpost.com