Federata e Futbollit e Danimarkës përmes një komunikate të lëshuar në rrjetet sociale ka treguar për gjendjen shëndetësore të Christian Eriksenit.
Sipas mjekut të Kombëtares së Danimarkës, Morten Boesen, specialistët në spitalin Rigshospitalet kanë vendosur që futbollistit t’i vendosin një aparat në zemër, një defibrilator, i ashtuquajtur ICD.
“Pasi Christian i është nënshtruar ekzaminimeve të ndryshme të zemrës, është vendosur që ai të ketë një defibrilator, pajisje ICD. Kjo jepet pas një arresti kardiak”, ka thënë Morten Boesen.
Kujtojmë që të shtunën e kaluar, futbollisti i Interit pati një sulm në zemër gjatë ndeshjes Danimarkë – Finlandë, e vlefshme për EURO20.
Eriksen arriti të shpëtonte pas intervenimit të shpejtë të stafit mjekësor./IndeksOnline/