Eksodi i punëtorëve ukrainas godet ekonomitë në zhvillim të Europës

Sektori i ndërtimit, linjat e montimit në fabrika dhe magazinat në të gjithë Europën Qendrore po përpiqen të plotësojnë vendet e lira të punës, pasi dhjetëra mijëra ukrainas lanë punët e tyre të “jakave blu” për t’u kthyer në shtëpi pasi Rusia pushtoi vendin e tyre.

Punëtorët ukrainas ishin dyndur drejt Europës Qendrore gjatë dekadës së fundit, të tërhequr nga pagat më të larta dhe të ndihmuar nga lehtësimi i procesit të dhënies së vizës, duke plotësuar ato vende pune që nuk ishin të paguara sa duhej për punëtorët vendas, në fusha të tilla si ndërtimi, sektori i automobilave dhe industria e rëndë.

Shumë nga këta punëtorë janë kthyer në shtëpi për të ndihmuar në luftë, që kur Rusia nisi pushtimin e saj më 24 shkurt, duke përkeqësuar papritur mungesën e fuqisë punëtore në disa nga ekonomitë më të industrializuara të Europës.

Reuters kontaktoi 14 drejtues të kompanive, rekrutues, organe të industrisë dhe ekonomistë në Poloni dhe në Republikën Çeke, të cilët deklaruan se largimi i punëtorëve ukrainas po çonte në rritje të kostove dhe po sillte vonesa në prodhim dhe në ndërtim.

Para pushtimit rus, ukrainasit ishin grupi më i madh i punëtorëve të huaj në Europën Qendrore. Polonia dhe Republika Çeke kanë mirëpritur një fuqi punëtore nga Ukraina prej rreth 600,000 dhe më shumë se 200,000 njerëzish respektivisht, sipas grupeve të tregtisë në industri.

Grupi tregtar i Punëdhënësve të Polonisë, i cili përfaqëson 19,000 kompani, vlerëson se rreth 150,000 punëtorë ukrainas, kryesisht burra, janë larguar nga Polonia që nga fillimi i luftës.

Wieslaw Nowak, shefi ekzekutiv i kompanisë polake për ndërtimin e linjave hekurudhore dhe të tramvajit, ZUE Group, tha se një nga nënkontraktorët e tij kohët e fundit nuk arriti të përfundonte punën në lidhje me shtrimin e binarëve, sepse pothuajse të gjithë 30 punëtorët ukrainas ishin larguar.

“Shumë kompani po kërkojnë punonjës në një shkallë masive në kantiere të ndryshme ndërtimi, për shkak të largimeve të shumta”, tha ai për Reuters.

“Kjo sigurisht që ndikon në koston dhe në ritmin e punës, sepse nëse dikush humbet disa dhjetëra punonjës në të njëjtën kohë, rindërtimi i një ekipi kërkon shumë më tepër sesa thjesht disa ditë.”

Ndërsa Banka Qendrore Europiane tha në qershor se fluksi i refugjatëve ukrainas pritej të lehtësonte mungesën e fuqisë punëtore në eurozonë, e kundërta duket se po ndodh në ekonomitë e industrializuara të Europës, jashtë bllokut të monedhës.

Qindra mijëra refugjatë ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë, të cilët mbërritën në këtë rajon pas fillimit të luftës, nuk mund të përshtaten lehtë me pozicionet vakante. Shpesh, punët e lira janë në sektorë që kërkojnë forcë fizike, të tilla si ndërtimi, prodhimi ose shkritoret, ku zbatohen kufizimet ligjore për peshat që lejohet të ngrenë punëtoret femra.

Që nga trajnimi i refugjateve femra për të përdorur kamionë e deri te rekrutimi i punëtorëve të rinj nga Azia, kompanitë po përpiqen të gjejnë mënyra inovative për të mbushur boshllëqet në fuqinë e tyre punëtore, thanë drejtuesit e kompanive për Reuters.

Por, për shumë firma që po përpiqen të rikuperohen nga ndikimi ekonomik i pandemisë COVID, dhe që tani po përballen me rritje të mprehtë të kostove të energjisë dhe të inflacionit, mungesa e papritur e fuqisë punëtore përbën një sfidë të rëndë.

“Humbja e punëtorëve ukrainas ka thelluar problemet me të cilat po përballen kompanitë,” tha Radek Spicar, nënkryetar i Federatës Çeke të Industrisë. “Kompanitë thonë se nuk mund të mbulojnë të gjithë kërkesën nga partnerët e tyre: ata i dorëzojnë porositë me vonesa dhe paguajnë gjoba.”/ Reuters/

Read Previous

​“Mushkëria e hekurt”, nisi përdorimin para 94 vitesh

Read Next

Sot do të bëhet betimi i ushtarëve të rinj të FSK-së