Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka parandaluar një tentim për të futur mjete monetare të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës përmes pikës kufitare të Vërmicës.
Në orët e para të mëngjesit, gjatë një kontrolli të detajuar në hyrje të Kosovës, një automjet u selektua për kontroll të dytë pas deklarimit negativ nga udhëtarët. Gjatë kontrollit u gjetën 55,000 euro në trupin e drejtuesit dhe pasagjerit të automjetit.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, Dogana ka iniciuar konfiskimin e 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve është ndaluar përkohësisht deri në përfundim të hetimeve, në përputhje me Kodin Doganor dhe Akcizës.
Dogana rikujton se çdo person që bart mbi 10,000 euro në hyrje ose dalje nga territori i Kosovës është i detyruar ta deklarojë shumën sipas ligjit, dhe mosdeklarimi përbën shkelje që ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi. /GazetaSinjali/