Zelensky u bën thirrje liderëve evropianë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje liderëve evropianë që të dërgojnë një “mesazh të qartë politik” në mbështetje të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, përderisa Hungaria vazhdon të bllokojë çdo përparim në këtë drejtim, shkruan Gazeta Sinjali.

Apeli i tij u bë të enjten mbrëma, përmes një video-adresimi drejtuar liderëve të BE-së, pak orë pasi kryeministri hungarez, Viktor Orban, kishte deklaruar se ka mandat për ta ndaluar integrimin e Ukrainës në bllokun evropian.

Hungaria po pengon hapjen e negociatave për anëtarësim për shkak të, siç pretendon, “çështjeve themelore të grupit të parë”, që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike, gjyqësorit të pavarur dhe administratës publike në Ukrainë.

Orban ka thënë se 2.2 milionë hungarezë janë kundër anëtarësimit të Ukrainës, duke u thirrur në rezultatet e sondazheve pas një fushate të ashpër anti-Ukrainë në vendin e tij.

Zelensky, pa përmendur emra konkretë, ka theksuar: “Çfarë na duhet tani është një mesazh i qartë politik, se Ukraina po ndjek rrugën evropiane dhe se Evropa u qëndron prapa premtimeve të saj.”

Në të njëjtin adresim, ai ka përsëritur kërkesat që BE-ja të ashpërsojë sanksionet ndaj Rusisë, duke propozuar një kufi prej 30 dollarësh për të ardhurat ruse nga nafta – shumë më e ulët se kufiri aktual i vendosur nga vendet e G7-s.

“Sanksionet kundër Rusisë mbeten një nga mjetet më efektive për të kufizuar agresionin e saj”, ka deklaruar presidenti ukrainas.

Ndërkohë, Komisioni Evropian ka propozuar një kufi çmimi prej 45 dollarësh, por ai nuk ka marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Dogana parandalon futjen e 55 mijë eurove të padeklaruara në Vermicë

Read Next

Nike: Tarifat e Trump mund të rrisin kostot tona me 1 miliard dollarë këtë vit