Dhoma e Tregtisë: Çmimi i energjisë i dëmton bizneset për 130 milionë euro

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka paraqitur para kryeministrit dhe ministres në detyrë të Ekonomisë, të gjitha nenet e Ligjit për Energjinë, të cilat po shkelen me vendimin e marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për liberalizimin e tregut të energjisë.

Në takimin e organizuar nga sekretariati i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, kryetari i Kuvendit të DhTIK-së, Hamdi Malushaj, ka thënë se ZRRE-ja nuk ka bërë një analizë të thelluar financiare për këtë proces.

Ai ka theksuar se ky vendim i hedh bizneset në rrugë, duke i nxjerrë prej “shtëpisë së tyre” dhe duke i lënë në mëshirën e KEDS-it.

Malushaj ka bërë thirrje për krijimin e një komisioni qeveritar për auditimin e këtij vendimi, derisa ka propozuar që të analizohet me të njëjtin seriozitet me të cilin po e analizon Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, sepse çmimi i ri i ofruar për energjinë, është dyfish më i shtrenjtë se ai i mesatares në rajon.

Kryetari i Kuvendit të Dhomës, Malushaj, ka shtuar se bazuar në një analizë të përafërt të bërë ofertave të ofruara nga KESCO, çmimi aktual po rritet në 264%.

“Kjo rritje e madhe e çmimit dëmton bizneset në vlerë të 130 milionë eurove dhe bugjetin e shtetit në vlerë të 13 milionë eurove. Andaj ky vendim është i pa analizuar mirë nga ZRRE dhe për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ky vendim i ZRRE-së është i pa pranueshëm dhe vlerësojmë se është i ndikuar nga përfituesi”, ka deklaruar Malushaj. /KosovaPress/

Read Previous

Diçka e çuditshme po ndodh brenda Hënës

Read Next

Abdixhiku: Italia, mbështetëse e fuqishme e shtetndërtimit të Kosovës