Dështimi i 33-të, përsëri nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të përfundojnë konsituimin e organit ligjvënës edhe në përpjekjen e 33-të.

Seanca ka vazhduar me pikën e rendit të ditës të përcaktuar nga kryesuesi i seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, formimi i komisionit parlamentar për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Për të 25-tën herë, ka dështuar themelimi i këtij komisioni, pasi përfaqësues të partive që në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, as nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin vendimmarrës.

Në sallë kanë qenë të pranishëm 91 deputetë, për formimin e Komisionit kanë votuar 51 deputetë, kundër një e nuk ka pasur asnjë abstenim.

Deputeti Veton Berisha sërish votoi kundër.

Vazhdimi i radhës është caktuar për të enjten në orën 10:00. /Koha.net/

Read Previous

A po tërhiqet LeBron James?

Read Next

Kusari-Lila kritikon deputetët për mospjesëmarrje në votim