Gjykata Themelore në Gjakovë sot ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurve Xh.Th. dhe U.Th., shtetas të Republikës së Kosovës, për vepër penale “vjedhja e rëndë” në bashkëkryerje, ndërsa për të pandehurin Xh.Th., edhe për “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Të akuzuarit kanë pranuar fajësinë dhe janë shpallur fajtorë për veprat penale të kryera. Të pandehurit Xh.Th., iu shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vitesh për veprën penale “vjedhja e rëndë,” si dhe dënim me gjobë në vlerë prej 1,500 euro për “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.” Ndërkohë, i pandehuri U.Th., u dënua me burgim prej tre vitesh për veprën penale “vjedhja e rëndë.” Ky vendim pason
pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurve gjatë procesit gjyqësor.
Pas këtij rasti janë konfiskuar gjashtë vetura, për të cilat Agjencia për Sekuestrimin e Pasurisë së Konfiskuar në
Prishtinë u autorizua që, pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit, t’i shesë. Të ardhurat nga shitja do të përdoren për kompensimin e të dëmtuarit M.Sh. Gjithashtu, shuma prej 6,550.00 euro e konfiskuar do t’i kthehet po ashtu të dëmtuarit M.Sh.