Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar, drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë “Defender Europe 25”.
Një njoftimin për media bëhet e ditur se nga 26 maji deri më 9 qershor 2025, kur dhe do të realizohet ky ushtrim do të ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.
E lidhur me këtë, sot ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka dhënë detaje.
“Forca e Sigurisë së Kosovës pjesëmarrëse në ushtrimin më të madh ndërkombëtar të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë”, shkruan ai.
Ministri në detyrë ka bërë të ditur se do të jenë pjesëmarrëse 29 shtete, ndërsa të angazhuar do të jenë 25 mijë ushtarë.
Ai ka theksuar se Kosova është shtet pritës i Shtabit të Divizionit të 28-të të Ushtrisë Amerikane, Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. /Telegrafi/