Siç raporton “AP”, Danimarka do të rrisë në tre gigavat kapacitetin e saj të planifikuar të erës në det të hapur në Detin Baltik dhe do ta lidhë atë me rrjetin gjerman, një hap ky që Evropa të ndalojë varësinë nga gazi rus.
Një lidhje që do të vendoset nëpërmjet instalimit të një kablloje nëndetare 470 kilometra, e cila do të kalojë përmes ishullit danez Bornholm në Detin Baltik dhe do të arrijë në veri të Gjermanisë. Nga kjo pikë do të shpërndahet si në pjesën tjetër të territorit gjerman, ashtu edhe në pjesën tjetër të Evropës. Siç vuri në dukje Annalena Baerbock, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, era nga Deti Baltik mund të prodhojë “më shumë se dyfishin e kapacitetit të instaluar të të gjitha termocentraleve gjermane me qymyr”.
“Me këtë lloj projekti mes partnerëve evropianë, ne arrijmë dy objektiva kyç në të njëjtën kohë: sigurinë energjetike evropiane dhe neutralitetin klimatik”, tha ministri gjerman i Ekonomisë dhe Klimës, Robert Habeck. Nga ana tjetër, ministri danez i Energjisë, Dan Jørgensen, ka theksuar se “bashkëpunimi ndërkombëtar është më urgjent se kurrë” për të reduktuar gazrat serrë dhe për të lejuar Evropën të jetë më e pavarur nga gazi rus.
Nga ana e tij, kancelari gjerman, Olaf Scholz, siguroi se do t’i japë fund importeve të naftës dhe qymyrit rus këtë vit dhe se do të përpiqet të ndalojë përdorimin e hidrokarbureve nga Moska brenda dy viteve. Përveç kësaj, ai është zotuar të eliminojë plotësisht emetimet e gazeve serrë të vendit deri në vitin 2045./A2news/