Në kohën kur në Kosovë janë arrestuar edhe pesë persona për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm, Ministria e Punëve të Brendshme është duke e hartuar një strategji shtetërore për të përballuar këtë rrezik. Afati i saj do të jetë deri në vitin 2028, ndërsa në të parashihen veprimet që shteti duhet ti bëjë për të shmangur rreziqet që vijnë nga vepra të tilla.
Parandalimi, mbrojtja, ndjekja dhe reagimi janë 4 pikat me të cilat shteti i Kosovës ka paraparë t’i bëjë ballë, rrezikut nga terrorizmi.
Gjerë e gjatë shpjegohet gjithçka në Strategjinë Shtetërore për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit për vitin 2023 deri në 2028.
Strategjia e shtetit që ende nuk është miratuar, vë në pah se situata aktuale në Kosovë, lë të hapur rrezikun potencial për terrorizëm sidomos nacional e fetar.
“Ndër sfidat dhe kërcënimet e reja të mundshme janë indikacionet që vijnë nga grupe, lëvizje dhe organizata pa dallim, të cilat synojnë de-stabilizimin e situatës së sigurisë, rendit demokratik dhe kohezionit social, pa përjashtuar mundësinë e sulmeve terroriste në Republikën e Kosovës për të arritur qëllimet e tyre. Republika e Kosovës, përveç që sfidohet me forma të tjera të aktiviteteve terroriste, si ajo me motive nacionaliste dhe politike si dhe me tendenca për të ndërhyrë në rendin kushtetues të Kosovës nga shtetet jomiqësore, po përballet edhe me terrorizmin me motive fetare. “
Por për parandalim, shteti ka dalë me 4 objektiva kryesore, të cilat për brenda kanë dhjetëra synime e veprime që do të ndërmerren veç e veç.
“Identifikimi dhe adresimi i rrethanave që çojnë në ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizëm që shpie në terrorizëm dhe minimizimi i ndikimit të tyre. Sfidimi i ideologjive dhe narrativave të grupeve terroriste dhe mbështetësve të tyre. Ndërhyrja e hershme për të mbrojtur dhe mbështetur ata që janë më të rrezikuar nga radikalizmi. Rehabilitimi, riintegrimi dhe shkëputja.”
Të rëndësishme strategjia i ka edhe politikat e ndjekjes dhe reagimit në raste të shfaqjes së terrorizmit.
Pengimi dhe hetimi i individëve dhe grupeve që ndikojnë, rekrutojnë, financojnë, mbështesin, planifikojnë sulme terroriste si dhe tentojnë të ndërtojnë legjitimitet brenda territorit të Republikës së Kosovës. Forcimi i kapaciteteve institucionale për ndjekje penale dhe procedim efektiv. Luftimi i financimit të terrorizmit. Gatishmëri për reagim dhe menaxhim të situatave me qëllim të minimizimit të pasojave në rast të ndonjë sulmi të mundshëm terrorist. Fuqizimi i kapaciteteve dhe aftësisë reaguese të institucioneve përkatëse për gatishmëri dhe reagim.
Ndërkohë, si pozitive hartimin e strategjisë së re po e sheh edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Kjo Strategji Shtetërore për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit është dokumenti i katërt strategjik i hartuar nga Republika e Kosovës me qëllim të parandalimit dhe luftimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit./RTV Dukagjini/