OKB: Ndotja me plastikë mund të zvogëlohet për 80 për qind me riciklim dhe ripërdorim

Ndotja me plastikë mund të zvogëlohet për 80 për qind, deri më 2040, nëse shtetet dhe kompanitë hartojnë politika dhe bëjnë ndryshime në tregje, ka thënë Programi i Kombeve të Bashkuara për Ambient (UNEP).

Për të arritur në atë pikë, OKB-ja ka thënë se duhet të punohet më shumë në ripërdorim, riciklim dhe riorientim të produkteve të plastikës.

Sipas ekspertëve të OKB-së, kjo nënkupton që qeveritë duhet të promovojnë shishe që rimbushen, dhe skema të rikthimit të produkteve të plastikës. Mes tjerash, ata kanë thënë se ndotja me plastikë mund të ulet, edhe nëse riciklimi bëhet më i qëndrueshëm dhe profitabil.

Shefja ekzekutive e UNEP-it, Inger Andersen ka thënë se mënyra sesi prodhojmë, përdorim dhe e hedhim plastikën, është duke ndotur ekosistemet, po krijon rreziqe për shëndetin e njeriut dhe po e destabilizon klimën.

Raporti i kësaj agjencie, që flet për mënyrat e dhënies fund të përdorimit të plastikës, është publikuar pas një rundi të dytë të negociatave në Paris, ku është analizuar trendi global për të luftuar ndotjen me plastikë.

UNEP thotë se ndryshimi i politikave në përdorim të plastikës, mund të krijojë mbi 700 mijë vende të punës deri më 2040, kryesisht në shtete me të hyra të vogla.

Produktet e plastikës janë gjetur në pothuajse secilin kënd të botës, përfshirë Antarktidën. Më herët gjatë këtij viti, shkencëtarët e kanë identifikuar te zogjtë, sëmundjen e parë të shkaktuar nga plastika. E quajtur Plasticosis, kjo sëmundje shkakton inflamacion në traktin tretës.

/REL/

Read Previous

Cila është strategjia e Kosovës për luftimin e terrorizmit?

Read Next

Manchester City dhe Real Madridi luajnë për një vend në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve