Presidenti i Brazilit u bëri thirrje ditë më parë vendeve të BRICS që të krijojnë një monedhë të përbashkët për tregtinë dhe investimet mes njëri-tjetrit, si një mjet për të reduktuar cenueshmërinë e tyre ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit të dollarit.
Luiz Inacio Lula da Silva e bëri propozimin në një samit të BRICS në Johannesburg.
Por zyrtarët dhe ekonomistët kanë vënë në dukje vështirësitë e përfshira në një projekt të tillë, duke pasur parasysh pabarazitë ekonomike, politike dhe gjeografike midis Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut.
Por pse Lula do një valutë BRICS?
Presidenti i Brazilit nuk beson se kombet që nuk përdorin dollarin duhet të detyrohen të tregtojnë me monedhën amerikane.
Një monedhë BRICS “rrit opsionet tona të pagesave dhe zvogëlon dobësitë tona”, citohet të ketë thënë ai në seancën plenare të hapjes së samitit.
Çfarë mendojnë udhëheqësit e tjerë të BRICS?
Pavarësisht kërkesës së Lula, zyrtarët e Afrikës së Jugut kishin thënë se një monedhë BRICS nuk ishte në rendin e ditës për samitin.
Ndërsa në korrik, ministri i jashtëm i Indisë tha: “nuk ka asnjë ide për një monedhë BRICS”.
E sekretari i saj i jashtëm theksoi përpara se të nisej për në samit se do të diskutohej nxitja e tregtisë në monedhat kombëtare.
Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin theksoi se mbledhja, në të cilën ai ka marrë pjesë përmes videolidhjes, do të diskutojë ndryshimin e tregtisë midis vendeve anëtare nga dollari në monedhat kombëtare.
Në anën tjetër, Kina nuk e ka komentuar idenë. Presidenti Xi Jinping foli në samitin për promovimin e “reformës së sistemit financiar dhe monetar ndërkombëtar”.
Cilat janë sfidat e krijimit të një monedhe BRICS?
Ndërtimi i një monedhe BRICS do të ishte një “projekt politik”, ka vlerësuar guvernatori i bankës qendrore të Afrikës së Jugut, Lesetja Kganyago në një radio-stacion në korrik.
“Nëse e dëshironi, do të duhet të keni një bashkim bankar, do të duhet një bashkim fiskal, duhet të keni konvergjencë makroekonomike”, ka thënë Kganyago.
“E rëndësishmja, ju duhet një mekanizëm disiplinor për vendet që nuk janë në përputhje me të… Plus ata do të kenë nevojë për një bankë qendrore të përbashkët”.
Mosbalancimet tregtare janë gjithashtu një problem, shkroi Herbert Poenisch, një bashkëpunëtor i lartë në Universitetin Zhejiang, në një blog për institutin OMFIF.
“Të gjitha vendet anëtare të BRICS kanë Kinën si partnerin e tyre kryesor tregtar dhe pak tregti me njëra-tjetrën”.
A do të paraqiteshin telashe për dollarin amerikan?
Dollari ka qenë monedha rezervë kryesore në botë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe vlerësohet të përdoret në më shumë se 80 për qind të tregtisë ndërkombëtare.
Por udhëheqësit e BRICS kanë thënë se duan të përdorin më shumë monedhat e tyre kombëtare në vend të dollarit, i cili u forcua ndjeshëm vitin e kaluar pasi Rezerva Federale rriti normat e interesit dhe Rusia pushtoi Ukrainën, duke e bërë borxhin në dollarë dhe shumë importe më të shtrenjta.
Vendosja e sanksioneve Rusisë nga sistemet financiare globale vitin e kaluar nxiti gjithashtu spekulimet se aleatët joperëndimorë do të largoheshin nga dollari.
Megjithatë, dollari ende dominon tregtinë globale. Ai është në njërën anë të pothuajse 90% të transaksioneve globale.
Dhe “de-dollarizimi” do të kishte nevojë për eksportues dhe importues të panumërt, si dhe huamarrës, huadhënës dhe tregtarë monedhash në mbarë botën, që në mënyrë të pavarur të vendosin të përdorin monedha të tjera.
Andaj, ekspertët vlerësojnë se edhe nëse BRICS krijon një monedhë të përbashkët, ajo mund të funksionojë në mënyrë të ngjashme me Euron, e cila nuk e ka sfiduar seriozisht dominimin e dollarit. /Telegrafi/