Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të kësaj ministrie për vitin 2023.
Komisioni ka pasur kritika për, sipas tyre, vonesa në nënshkrimin e kontratatve mes përfituesve dhe MKRS-së, vonesa në realizimin e kontratave, vonesa për pagesa të obligimeve të papaguara dhe mbylljen e avanceve për udhëtime zyrtare dhe disa çështje të tjera.
“Jemi shumë të vetëdijshëm që ka vonesa, por nuk mund ta kuptoj arsyetimin se cila çon në dyshime për vepër penale”, është kundërpërgjigjur Çeku.
Ai ka thënë se në fillim të mandatit të tij kanë gjetur çështje të subvencioneve të pambyllura ndër vite.
“Ky kushtëzimi që e kemi aplikuar se askush nuk merr ndonjë subvencion të ri, pa e mbyll një projekt të së kaluarës, e ka ulur drastikisht këtë numër. Sot flasim për vonesa javore ose mujore, janë raste me të cilat ne merremi. Secili subvencion e ka një zyrtar përgjegjës nga MKRS që e kontroll projektin për ta mbyll”, ka thënë ministri i Kulturës./rtklive