Besimtarët e besimit katolik sot kanë festuar Ditën e të gjithë shenjtorëve, ditë kjo që nderon të vdekurit. Nën udhëheqjen e Don Marian Ukaj në varrezat e fshatit Dol, banorë nga ky fshat por dhe Pjetërshani e Kusari u mbodhën në meshën për të kujtuar ata që nuk janë më në mesin tonë.
Kjo festë është tradicionale thotë Nue Gjini teksa shpjegon tërë ritualin që zhvillojnë besimtarët e krishterë.
Varrezat në kodrën e Dolit janë shndërruar sot në një vend të mbushur nga familjarë të cilët me lule, qirinj të ndezur dhe lutje kanë kujtuar familjarët e tyre. Dita e të gjithë Shenjtorëve është një festë shumë e lashtë, me rrënjët e saj në shekullin e katërt, kur Kisha e kremtonte atë gjatë sezonit të Pashkëve . Data e tanishme e 1 nëntorit u vendos qysh në shekullin e tetë kur Papa Gregori III e kaloi festën në atë datë për dioqezën e Romës.