Begaj: Shqipëria, në një fazë të re të avancimit drejt anëtarësimit në BE

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili i dorëzoi zyrtarisht Raportin e Progresit të Shqipërisë në rrugëtimin evropian.

“Ditë e mirë për Shqipërinë”, u shpreh Presidenti i Republikës, duke iu referuar hapjes së negociatave për kapitujt themelorë. Kreu i Shtetit e vlerësoi Progresraportin 2024 si nxitje për të gjithë aktorët shqiptarë, që të punojnë së bashku edhe më fort në arritjen e objektivit të përshpejtimit të procesit që synon anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

“Përfundimisht, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të avancimit të pandalshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, theksoi Presidenti Begaj, i cili shprehu bindjen edhe për hapjen e kapitujve të tjerë në negociatat me BE-në para fundit të këtij viti, gjatë Presidencës hungareze.

Presidenti i Republikës i përcolli ambasadorit Gonzato mirënjohjen ndaj Brukselit zyrtar dhe Presidentes së Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, për mbështetjen, vullnetin e mirë ndaj Shqipërisë si edhe besimi ndaj progresit të arritur në përmbushjen e reformave integruese.

Presidenti i Republikës vlerësoi si inkurajues faktin që zgjerimi i unionit në Ballkanin Perëndimor është rikthyer fuqishëm në axhendën politike të Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian, duke ndjekur një politikë të besueshme zgjerimi, mundëson nxitjen e reformave dhe të shpresës për integrimin e plotë evropian të Ballkanit Perëndimor”, vlerësoi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. /ATSH/

Read Previous

Kremlini thotë se Ukraina duhet të jetë nervoze nëse kërkon raketa amerikane Tomahawk

Read Next

Parashikohet reshje bore javën e ardhshme në malin Fuji