BE për Banjskën

Më shumë se një vit e gjysmë nga sulmi terrorist paramilitar në Banjskë, nuk ka as gjykim në mungesë në Kosovë ndaj Milan Radoiçiqit dhe të tjerëve, e as masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Derisa refuzimi i shteti fqinj për ekstradimin e Radoiçiqit pamundëson gjykimin e plotë në rast si parakusht për masat e BE-së, blloku 27-anëtarësh shmangu pyetjen për ekstradim dhe masa eventuale, ndërsa foli për një proces gjyqësor në Serbi.

Vendimi që përjashton gjykimin në mungesë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 41 të akuzuarave tjerë në arrati në rastin Banjska, kufizon procesin e llogaridhënies për sulmin terrorist vetëm tek tre të arrestuarit.

Për vendosjen eventuale të masave ndaj Radoiçiqit dhe të tjerëve ose ndaj Serbisë, Bashkimi Evropian fillimisht kishte kërkuar raportin nga hetimi i plotë, pastaj aktakuzën, e më vonë verdiktin e gjykatës.

Por, në rrethanat aktuale, ku përkundër flet-rreshtimeve ndërkombëtare, Serbia refuzon të arrestojë dhe ekstradojë në Kosovë, Radoiçiqin dhe të tjerët, një vendim gjithëpërfshirës përfundimtar nga Gjykata në Prishtinë duket i pamundur.

Duke shmangur pjesën e ekstradimit, gjykimit në Kosovë dhe masave eventuale, BE-ja pati një thirrje për Serbinë teksa përmendi një proces atje.

“Në rastin Banjska presim që Serbia, në pajtim me zotimet e përsëritura ndaj BE-së, të ndërmarrë urgjentisht të gjithë hapat e nevojshëm për të ndjekur dhe sjellë para një gjykate autorët e dyshuar të veprave penale serioze të cilët gjenden në Serbi dhe të sigurojë bashkëpunim në hetimin e këtyre sulmeve”, thuhet nga BE-ja.

Pa hollësi ishte edhe pjesa tjetër e përgjigjes, për fletarrestin  e lëshuar kundër Radojçiqit dhe 19 të tjerëve, në një rast të ndarë ku dyshohen për krime lufte në rajonin e Gjakovës.

“Dhënia llogari për krimet e luftës dhe gjykimi i krimeve të luftës nga një gjyqësor i pavarur janë hapa thelbësor drejt pajtimit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, dhe në rrugën për në Bashkimin Evropian. Ne e marrim parasysh këtë vendim dhe përmbahemi nga komentet e mëtejme në vendime gjyqësore”.

Pak ditë pas sulmit terrorist paramilitar në Banjskë, Milan Radoiçiq, atëkohë nënkryetar i Listës Serbe, kishte pranuar publikisht se ka organizuar dhe udhëhequr atë.

Derisa nuk ka asnjë masë nga BE-ja, ai dhe të akuzuarit tjerë mbesin të mbrojtur në Serbi.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Publikimi i rezultateve të zgjedhjeve në Shqipëri: Këtu mund t’i ndiqni LIVE

Read Next

Osmani në kampin Mauthausen të Austrisë