BE-ja miraton Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

Me këtë miratim kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe vendimi hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në gazetën zyrtare të BE-së.

Pas kësaj, vendet nga Ballkani Perëndimor do të ftohen t’i paraqesin Komisionit Evropian agjendat e tyre të reformave, duke paraqitur reformat socio-ekonomike dhe themelore që planifikojnë të ndërmarrin në tre vjetët e ardhshëm.

Vendet anëtare të BE-së do të kenë fjalën kryesore në miratimin e burimeve financiare.

Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat cilësorë dhe sasiorë të specifikuar në agjendat e tyre të reformave.

Kur parakushtet për mbështetje nuk plotësohen ose nuk plotësohen më, BE-ja mund të vendosë të pezullojë lirimin e fondeve.

Qëllimi i Planit të Rritjes për rajonin

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të mbulojë periudhën midis vitit 2024 dhe 2027.

Plani i Rritjes arrin shumën prej gjashtë miliardë euro për vendet e rajonit. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.

Në deklaratën e lëshuar nga Këshilli i BE-së, theksohet se qëllimi kryesor është mbështetja për harmonizimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim të anëtarësimin e ardhshëm në BE, si dhe integrimin progresiv të tyre në një treg të vetëm evropian, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.

Burimet financiare janë planifikuar për të mbështetur një sërë reformash socio-ekonomike dhe themelore, duke përfshirë reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Ndihma financiare nuk është e pakushtëzuar

Për të marrë mbështetje në kuadër të këtyre instrumenteve, vendet e rajonit duhet të përgatisin një agjendë reformash, duke theksuar reformat që planifikojnë të ndërmarrin për të arritur qëllimet.

Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mënyrës sesi vendet e Ballkanit Perëndimor do të kontribuojnë në përafrimin progresiv dhe të vazhdueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Parakushtet e përgjithshme për mbështetjen e BE-së sipas Planit të Rritjes përfshijnë mbështetjen dhe respektimin e vazhdueshëm për mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumë-partiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, si dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e pakicave.

Kosova dhe Serbia kanë edhe një kusht, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas vendimit të miratuar, në mënyrë që këto dy vende të përfitojnë nga Plani i Rritjes, ato duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive “me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme” në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me qëllim zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme për dialogun dhe t’i bashkohet negociatave për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. /Radio Evropa e Lirë/

Read Previous

Osmani: ShBA-ja është në ADN-në e suksesit të Kosovës

Read Next

Ngjarja tragjike në Shkodër, detajet e fundit