Komisioni Evropian synon të ndalojë plotësisht importin e gazit rus në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027 dhe planifikon ta paraqesë propozimin sot.
Kjo mund të përfshijë përdorimin e ligjit tregtar të BE-së – si një ndalim importi përmes sanksioneve – i cili konsiderohet i pamundur të ketë sukses – pasi do të kërkonte një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së. Hungaria në veçanti i ka kundërshtuar përpjekje të tilla.
Komisioni tha dje se furnizimet me gaz nga Rusia përbënin më pak se 19% të të gjitha importeve në vitin 2024.
“Prandaj, nevojiten veprime më të koordinuara, pasi varësia e tepërt e BE-së nga importet ruse të energjisë është një kërcënim për sigurinë”, thuhet në deklaratë.
Rusia ishte një furnizuese kryesore e energjisë për Evropën deri në vitin 2022 – kur BE kërkoi të reduktonte apo eleminonte importin e mallrave nga Rusia – pasi Kremlini nisi pushtimin në shkallë të plotë në Ukrainë.
BE vendosi më shumë se një duzinë raundesh sanksionesh ndaj Rusisë, dhe tregtia midis dy palëve që atëherë ka rënë ndjeshëm.
Në përgjithësi, importet ruse në bllok ranë nga rreth 163,6 miliardë euro (188 miliardë dollarë) në vitin 2021 në 36 miliardë euro në vitin 2024. /ATSH-DPA/