Bakoyannis: Do të rekomandoj mbikëqyrjen e Kosovës nga Këshilli i Evropës

Dora Bakoyannis, raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka deklaruar për N1 në Serbi, se do të rekomandojë mbikëqyrjen e Kosovës nga Këshilli i Evropës.

“Kemi pasur një sukses të madh në rajon në ditët e fundit, e ai është kthimi i pronës së Manastirit të Deçanit, hapi më i rëndësishëm për mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe, që deri më tani tregon një shenjë të qartë se ka një synim tek autoritetet në Prishtinë për t’iu bindur sundimit të ligjit dhe për të iniciuar reformat e nevojshme për hir të sigurisë së statusit të pakicës serbe”, tha Bakoyannis.

Ajo ka theksuar se është plotësisht e vetëdijshme se ka ende një listë të gjatë të rasteve të pazgjidhura që kanë të bëjnë ‘me demokracinë dhe të drejtat e njeriut’ në Kosovë, transmeton Telegrafi.

“Sigurisht që nuk jam naive, jam plotësisht e vetëdijshme se është një listë e gjatë e çështjeve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë, si dhe rezistencën e fortë të Prishtinës në fronte të ndryshme. Këshilli i Evropës e di shumë mirë këtë, por fakti që për pesë muaj arritëm ta zgjidhim çështjen e zvarritur për 25 vjet, është një arritje e madhe dhe do të jetë në raportin tim”, theksoi ajo. /Telegrafi/

Read Previous

U ngritet aktakuzë 18 personave për rastin “Subvencionet V”, tetë janë zyrtarë

Read Next

Dita Botërore e Poezisë, Gjakova dikur vatër e saj