Austria ka njoftuar muajin e kaluar se do të reduktojë numrin e ushtarëve në misionin e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë (KFOR).
Ministria e Mbrojtjes së Austrisë ka konfirmuar se nga misioni i KFOR-it do të tërhiqen rreth 120 ushtarë. Vendimi, megjithatë, thuhet se nuk është një reagim ndaj situatës aktuale në Ballkanin Perëndimor.
Pavarësisht tërheqjes së trupave, shteti austriak ka njoftuar gatishmërinë për të dërguar ushtarë shtesë për të mbështetur forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë nëse është e nevojshme, në dritën e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe.
Ndryshe nga Austria, disa shtete evropiane kanë rritur prezencën në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash dhe Rumania ka dislokuar gjithashtu rreth 130 ushtarë në kuadër të KFOR-it pas përshkallëzimit të situatës në veri, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu ka marrë vendim që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR. Në linjë me zhvillimet aktuale edhe Sllovenia ka rritur numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s. Aktualisht 90 ushtarë sllovenë janë në misionin e NATO-s në Kosovë, ndërsa numri pritet të rritet për të paktën 100. /Albanianpost.com