Arsimi dhe Shëndetësia në Veri, Krasniqi: S’ka vend për asnjë institucion paralel në Kosovë

“Nuk ka vend për asnjë institucion paralel në Republikën e Kosovës”, ishte përgjigja e ministrit për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili u pyet për potencialin e mbylljes së institucioneve paralele serbe në fushën e Arsimit dhe të Shëndetësisë në Kosovë.

Ndonëse Krasniqi refuzojë të specifikojë dy këto mekanizma të Serbisë në Kosovë tha në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës se “ato janë institucione të Serbisë të cilat funksionojnë jashtë juridiksionit ligjor dhe kushtetues”.

“Nuk ka hapësirë për asnjë institucion paralel të kujtdo qoftë në Republikën e Kosovës”, shtoi ai.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, shprehu besimin se institucionet paralele të shëndetësisë dhe arsimit në Veri, aktualisht, nuk kërcënohen nga mbyllja e mundshme, por shton se serbët e Kosovës “duhet të jenë të gatshëm për një skenar që nuk do të na pëlqejë”.

“Duhet të planifikohen opsionet, sepse nuk është çështja nëse do të ndodhë [mbyllja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë], por kur do të ndodhë. Gjithçka që na ka befasuar së voni, gjithçka që nuk e kemi ditur apo që Beogradi na e ka fshehur, nuk do të thotë se nuk do të ndodhë”, kishte thënë Rashiç.

Ai kishte shtuar se institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë, të cilat financohen nga buxheti i Serbisë dhe funksionojnë nën sistemin e saj, do të duhet “të inkorporohen” në sistemin legjislativ të Kosovës, pasi marrëveshjet e arritura në Bruksel e parashikojnë një gjë të tillë.

Rashiç kishte kërkuar që të gjenden modele që e “inkorporojnë” të gjithë sistemin serb në atë të Kosovës, në mënyrë që të mos dëmtohen as qytetarët, as punonjësit.

Ai kishte theksuar se shëndetësia dhe arsimi janë “shtylla të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të serbëve”./Albanianpost.com

Read Previous

Xi i thotë Putinit se bota është në kaos, por miqësia me Rusinë do të zgjasë

Read Next

​Barcelona-Bayern, formacionet e mundshme