Policia e Kosovës ka arrestuar një person të enjten në Mitrovicë, pasi po kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar nga Gjermania nën dyshimin se ka kryer veprat penale “vrasje dhe grabitje”.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga PK-ja.
“Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti (FAST Kosova), me mbështetje të Njësisë elite FIT, sonte më 17.10.2024, në orët e mbrëmjes në Mitrovicë ka arrestuar një person të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga shteti gjerman, nën dyshimin e kryerjes se veprave penale, Vrasje dhe Grabitje”, thuhet në komunikatë.
I arrestuari, me iniciale G. V. i lindur në 1997 potencohet se është dërguar në ndalim policor për 48 orë për të vazhduar me procedura tjera të parapara për raste të tilla.
PK-ja njoftohet se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të krimit, përderisa thonë se angazhime aktive janë duke u realizuar dhe do të vazhdojnë edhe në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar.
Edhe më 15 tetor autoritetet kishin arrestuar një shtetas të Maqedonisë së Veriut të hënën në Ferizaj, pasi po kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për “krim të organizuar” dhe “trafikim me narkotikë”.
I dyshuari po kërkohej nga Maqedonia e Veriut, ku është i dënuar me 6 vjet burgim. /Albanianpost.com