Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona për armë mbajtje pa leje brenda 24 orëve në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet raportit 24 orësh të Policisë, ku është njoftuar se në Viti në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar 13 revole, një armë dhe 42 fishekë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar 13 revole, një armë karabine dhe 42 fishekë të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në raport.
Me vendim te prokurorit, thuhet se i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Edhe në fshatin Livoq të Gjilanit, është gjetur dhe konfiskuar një revole me gjashtë fishekë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi gjatë kontrollit në veturën të cilën ishte duke e drejtuar, është gjetur dhe konfiskuar një revole me 6 copë fishekë”.
Gjatë kontrollit, në fshatin Bushinc të Novobërdës është gjetur edhe një armë dhe tetë fishekë.
“Është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri-pistoletë me një karikator dhe tetë fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, njoftohet nga PK-ja.
Për të njëjtën arsye, Policia ka arrestuar edhe një person në Prishtinë.
“Gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri -pistoletë me një karikator dhe pesë (5) fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Një armë, një karikator me pesë fishekë dhe katër gëzhoja janë konfiskuar edhe në Rahovec.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe nga i njëjti është konfiskuar një armë e zjarrit –pistoletë me një karikator me pesë fishekë dhe katër gëzhoja”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /Albanianpost.com