Një vizitë e zakonshme familjare në Kosovë është shndërruar në ankth për ish-policin e Kosovës, Arbnor Spahiu. Ai është ndaluar nga autoritetet serbe teksa udhëtonte me autobus përmes territorit të Serbisë drejt Kosovës.
Ish-zyrtarit policor të Njësisë Speciale Operative (NJSO), Arbnor Spahiu, Serbia ia ka caktuar një muaj paraburgim, dy ditë pasi e ndaluan.
Këtë e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci, që shkroi në Facebook se do të niset për në Suboticë pas këtij vendimi, derisa vendimin e cilësoi të padrejtë dhe të motivuar politikisht “dhe pa asnjë provë apo bazë faktike”.
Koci, i angazhuar për mbrojtjen e Spahiut, ka kërkuar që edhe institucionet e Kosovës të angazhohen direkt në këtë rast, duke kërkuar reagim publik edhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
“Arbnor Spahiut, ish-zyrtarit policor të Njësisë Speciale Operative (NJSO), pas dy ditësh ndalimi, sot i është caktuar masa e paraburgimit njëmujor në Serbi. Ky vendim është i padrejtë, i motivuar politikisht dhe pa asnjë provë apo bazë faktike. Kërkoj angazhim të drejtpërdrejtë të shtetit të Kosovës – jo vetëm nga Ministria e Jashtme dhe Zyra Ndërlidhëse në Beograd – por edhe reagim të qartë dhe publik nga Kryeministri dhe Presidentja e vendit. Sepse asnjë qytetar i këtij vendi nuk guxon të lihet vetëm, kur përsekutohet padrejtësisht. Punën që nuk po e bën shtetit i Kosovës – po më duhet ta bëj unë”, ka shkruar Koci.
Për këtë ndalim ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës kanë njoftuar misionet ndërkombëtare, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, duke kërkuar mbështetjen e tyre për këtë rast.
Ministrja gjithashtu ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për të gjithë qytetarët e Kosovës që planifikojnë të kalojnë përmes Serbisë, veçanërisht gjatë muajve të verës kur fluksi i udhëtimeve rritet.
“Më lejoni të bëj edhe një herë thirrje për një kujdes të veçantë për të gjithë ata që, tani që po afrohet vera, kalojnë nga Serbia, për shkak se rastet e ndalesave arbitrare dhe të paarsyeshme janë shtuar gjatë muajve dhe viteve të fundit”, ka thënë Gërvalla.
Spahiu është marrë në pyetje nga autoritetet serbe lidhur me sulmin në Banjskë, që kishte ndodhur në shtatorin e 2023-s, ndonëse ish-zyrtari policor ishte larguar nga Policia e Kosovës në nëntorin e 2021-tës. /Reporteri.net/