Ardian Ismajli bëhet me klub të ri

Pas zyrtarizimit ditët e fundit të mesfushorit Tino Anjorin, i transferuar nga Empoli për 4.5 milionë euro dhe me kontratë deri në qershor 2029, Torino është shumë pranë finalizimit të një tjetër afrimi nga klubi toskan.

Qendërmbrojtësi shqiptar Ardian Ismajli, i lindur në vitin 1996, ka mbërritur në qytet herët në mëngjes, pasi përfundoi kontratën me Empolin dhe vjen si lojtar i lirë. Ismajli, i cili ka qenë objekt interesimi nga Napoli gjatë muajve të fundit, do të nënshkruajë një kontratë trevjeçare me klubin Granata.

Sot ai do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore rutinë, përpara se të shkojë në selinë e klubit për të firmosur marrëveshjen.

Gjatë sezonit të kaluar në Serie A me Empolin, Ismajli zhvilloi 29 ndeshje, ndërsa në total ka 117 paraqitje në elitën e futbollit italian dhe një gol të shënuar. I transferuar fillimisht në Itali nga Spezia në verën e vitit 2020, mbrojtësi shqiptar numëron gjithashtu 45 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë.

Ai i bashkohet një grupi mbrojtësish qendrorë te Torino, që përfshin Schuurs – i cili pritet të rikthehet pas një dëmtimi të gjatë në gju – si dhe Walukiewicz, Masina, Sazanov dhe Maripan. Në këtë repart bën pjesë edhe Samuel Coco, megjithatë e ardhmja e tij është ende e pasigurt, pasi ka oferta nga klubet në Arabinë Saudite. /KosovaPress/

Read Previous

Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës diplomon në ShBA

Read Next

Gjithçka gati për gjysmëfinalet e Kupës së Botës për Klube