Gjykata në Gjakovë shpall fajtor të akuzuarin për grabitje, e dënon me 7 vjet burgim

Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me shtatë vjet burgim dhe 500 euro gjobë një person të akuzuar për grabitje, rast i ndodhur në qershor të këtij viti në Gjakovë.

Sipas komunikatës së Gjykatës, i pandehuri A.M. është shpallur fajtor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sulltan Dobraj.

Sipas aktakuzës, më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave “Kids Center”, në rrugën “Ferid Domi”, i pandehuri, së bashku me dy të mitur, dyshohet se kishte sulmuar një të ri, duke ia marrë çantën dhe 115 euro nga portofoli.

Në komunikatë thuhet se gjatë grabitjes viktima ishte goditur disa herë me dorezën e thikës, ndërsa më pas, së bashku me dy të miturit, ishte sulmuar edhe me grushte, duke pësuar lëndime të lehta trupore.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar.

Komunikata e plotë e Gjykatës:

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.M, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për grabitje, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Kryetari i trupit gjykues, Sulltan Dobraj, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësorë, të pandehurin e shpalli fajtorë dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje shtatë (7) vjet dhe dënim me gjobë në shumën prej pesëqind (500) euro.

I pandehuri A.M., akuzohet se me datën 01.06.2026, rreth orës 17:50 minuta, prapa këndit të lojërave Kids Center, në rr. Ferid Domi në Gjakovë, së bashku me të miturit I.A. dhe A.A., fillimisht lënë takim me të dëmtuarin E.B., dhe pasi e takojnë në vendin e lartcekur, i pandehuri afrohet te i dëmtuari, e kap nga qafa çantën e të dëmtuarit, ku në dorë mban një thikë. Aty fillon përleshja dhe i pandehuri, me dorezën e thikës, të cilën e kishte në dorën e djathtë, e godet të dëmtuarin në krahun e majtë disa herë, pastaj pret rripin mbajtës të çantës, duke ia marrë çantën e krahut, ngjyrë të zezë. Pasi ia merr çantën, i pandehuri e kishte hapur çantën dhe nga aty e nxjerr një portofol, nga i cili i merr 115 euro. Pastaj, pasi e kontrollon çantën, revoltohet dhe, së bashku me të miturit, përsëri e godasin me grushte të dëmtuarin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /tvsyrivision/

Read Previous

Mungesa e kuorumit shtyn mbledhjen e Komisionit Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt